E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luani ose Albanian Google

 

Ditari i Nju Jorkut

Apexart ose shumë po shndritë ai diell e pak po nxeh (III)

 

Në New York e gjithë bota vjen të promovojë vetveten dhe të gjithë artistët dhe producentët e këtij vendi janë lodhur prej kërkesave, lutjeve, qaramanllëqeve dhe shtirjeve të ardharakëve. Prandaj të lutem mos i thuaj njeriu "merre e ma lexo librin tim apo shikoje këtë dvd me shfaqjen time apo dëgjoje këtë histori që po shkruaj". Po e bëre këtë e ke të humbur shansin. Askush nuk ka për të ta lexuar librin, për ta parë shfaqjen e aq më pak për ta dëgjuar historinë që po shkruan.

1.

Apexart qe vendosur diku si thellë në downtown, në një farë Church Street. Në Manhattan është e lehtë t'i zbulosh vendodhjet e sendeve. Madje askush më mirë se harta e Manhattan-it nuk e ka konservuar dhe virtualizuar pragmatizmin amerikan.

Megjithatë ideja ime rreth këtij fondacioni me sa duket kishte qenë e projektuar prej së largu, çka do thotë se kisha përshtypjen se po shkoja drejt një godine të madhe që kishte brenda galeri arti, sallë performancash e natyrisht zyra të shumta. Asgjë nga këto ose më saktë të gjitha këto në një miniaturë.

Apexart gjendet në katin e parë të një ndërtese të vjetër prej tullash të kuqe, e lyer me jeshile nga jashtë si të ishte hyrja e një Irish Pub. Te cepi majtas gjendej Caryn, një vajzë-grua e shëndoshë, e bardhë dhe me çuka në fëtyrë si me dashtë të të kujtojë personazhet e letërsisë angleze të shekullit të 19, Dikensit apo Gollsuorthit. Doli Matt dhe artikuloi sërish fraza të shpejta e të gjata nëpër buzët që nuk i lëviznin. Asgjë. Mora vesh se duhej të prisja pak se Stiven Rand, drejtori ekzekutiv i fondacionit, qe pak i zënë.

Prita. Stiven doli bashkë me dy aziatikë. Njëri më duket se tha që ishte drejtori i qendrës kulturore xhamajkane, kurse tjetri ngjante me një artist të ri e paksa të dëshpëruar që kishte ardhur aty të prezantonte diçka të vetën. U pwrshwndetëm. Aziatikët ikën dhe Stiven më duket sikur i shpotiti pas shpine.

Stiven është një burrë imcak rreth të pesëdhjetave. Gjëja e parë që më prezantoi ai ishte qeni i vet. Një kalinë e zezë e tërë lesh.

- This is my son - tha Stiven

- Hello - ia ktheva unë qenit dhe i buzëqesha si të qe me të vertetë i biri i Stivenit. Ishte hera e parë në jetë që i flisja një qeni e aq më tepër në gjuhë të huaj.

Gjithsesi nuk e zgjata ceremoninë e prezantimit me qenin. Stiven mesa duket e kuptoi akullnajën time erotike ndaj djalit të vet dhe tha veç një fjalë: "Petrarka"!

O.K. Se ç'hynte poeti klasik italian këtu s'po e merrja vesh, por gjithsesi e ndoqa Stivin që priu së bashku me Matt. "Petrarka" qe një restorant italian i vendosur në cepin tjetër të Church Street.

2.

Në restorant Stiven, me kokën ovale, sytë thellësisht blu dhe duar skeletike, nisi të më tregojë se pse unë isha këtu dhe cili ishte qëllimi i qëndrimit tim. Më pëlqeu e gjitha. Ai pastaj pyeti diçka rreth Shqipërisë dhe unë i bëra një skicë historiko-gjeografike rreth vendit tim.

- What about the corruption? - pyeti ai pas pak.

Nanën thashë me vete. Unë sapo vija prej një vendi ku fjala "korrupsion" përmendej aq shumë gjatë ditës, aq sa më dukej se korruptohesha edhe unë duke e dëgjuar. Po ç'ne ta dëgjoja edhe këtu në Amerikë?!

I fola diçka rreth poetikës së korrupsionit shqiptar. Ai dëgjonte me vëmendje të madhe dhe ashtu krejt papritmas u kthye nga Matt dhe e pyeti:

- Po ti Matt a mendon se ka korrupsion në Amerikë?

Aty pashë sesi zverdhej djali njëzet vjeç dhe i merrej goja. Matt tha diçka që kuptonte asgjë. Pastaj Stiven u kthye prapë te unë me pyetjen se a janë të korruptuara zgjedhjet në Shqipëri. Por unë s'guxova ta nis fjalinë se ai vrik i bëri Matt të njëjtën pyetje për në Amerikë. Atëhere Matt u bllokua keqas. Si duket ishte hera e parë që punëdhënësi i tij i bëntë provokime të këtij karakteri dhe djaloshi belbëzoi diçka të tipit:

- Ndoshta janë paksa edhe si të korruptuara, por nuk jam i sigurtë...

Dreka siç merret me mend mbaroi pa ndonjë entuziazëm të madh. Stiven pagoi dhe u nisëm edhe njëherë për nga zyrat.

Zyrat?! Të ashtuquajturat zyra ishin në një podrum, haur, ku zbritej nëpërmjet një shkalle dërrase shumë të ngushtë dhe vertikale.

- Here is my office - tha Matt.

- Po, more Mat, e marr vesh. Më pwlqen kjo thjeshtësi...

3.

- I dashur Stefan - u kthye Stiven nga unë - këtu ke një listë me emra. Të gjithë janë miq të Apexart dhe të gjithë janë lajmëruar prej meje për ardhjen tënde dhe se kush je ti dhe çfarë interesash ke. Këta janë producentë, kuratorë, shkrimtarë, regjisorë, botues, fotografë, aktorë, artistë pamorë e të tjerë të kësaj rrace. Ndjehu i lirë t'i kontaktosh. Këtu ke gjithçka, telefonët dhe email-et e tyre. Dhe më lëshoi në dorë nja katër a pesë fletë A4 të mbushura me emra dhe adresa. I mora dhe i hodha një sy. Natyrisht asnjë prej atyre emrave s'më thoshte ndonjë gjë. Të panjohur.

- Dhe ju mendoni se ata do më përgjigjen? - i belbëzova Stivenit.

- Besoj. Besoj - tha ai - të paktën një pjesë e tyre patjetër që do reagojnë pozitivisht… veçse… veçse… kam një… një këshillë - kësaj radhe ishte Stiven që po belbëzonte.

I thashë se jam i hapur për çdo lloj këshille dhe i mirëpres të gjitha orientimet.

- Në New York e gjithë bota vjen të promovojë vetveten dhe të gjithë artistët dhe producentët e këtij vendi janë lodhur prej kërkesave, lutjeve, qaramanllëqeve dhe shtirjeve të ardharakëve. Prandaj të lutem mos i thuaj njeriu "merre e ma lexo librin tim apo shikoje këtë dvd me shfaqjen time apo dëgjoje këtë histori që po shkruaj". Po e bëre këtë e ke të humbur shansin. Askush nuk ka për të ta lexuar librin, për ta parë shfaqjen e aq më pak për ta dëgjuar historinë që po shkruan.

Me thënë të drejtën u hutova. S'po kuptoja se pse duhej t'i takoja atëhere ata njerëz, ç'kuptim do kishte, çfarë do t'i thoja… Stiven e ndjeu hutimin tim dhe foli shpejt e shpejt:

- Ka një zgjidhje. Një zgjidhje të thjeshtë: përpiqu t'i bësh shokë ata që do takosh. Nëse ia del kësaj, atëhere do jenë ata vetë që do të të kërkojnë të lexojnë librin, të shohin shfaqjen apo të dëgjojnë me vëmendje historinë që po shkruan.

U çudita dhe u mahnita prej thjeshtësisë së këtij burri inteligjent dhe prej mënyrës sesi ai e shihte botën. E vwrteta është e thjeshtë dhe të çliron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›