Peshkatarët e Karasit
Ja përvoja e "sportistëve" të peshkimit në brigjet e liqenit të Tiranës. Me punë e pa punë, hedhin grepin për të kapur të vetmin lloj peshku që gjëllon në liqenin e bërë me dorë. Dëshmitarë dhe denoncues të shkatërrimit që njerëzit po i bëjnë pikës së pelegrinazhit në kryeqytet
Një kokërr domate, pak bukë, një fetë djathë të bardhë dhe me vrap nga liqeni. Ca e nisin peshkimin që në mëngjes herët, ndërsa ca të tjetër si t'u vijë për mbarë dita. Një pjesë thonë se kanë qysh kalamaj që e mbajnë kallamin me vete, ndërsa një pjesë thonë se janë më të rinj në ushtrimin e këtij sporti. Peshkimi është si krimbi që ndjell peshqit, thotë një syresh të cilit dielli ia ka zhelur fytyrën e ia ka bërë të rreshkët. Ndodh ndonjëherë që krimbi të hyjë aq thellë sa harron edhe fëmijë e katandi. Kështu ndodh me disa që gdhihen që herët në mëngjes në liqen dhe nuk shqiten nga bregu derisa të ngryset. Ca e kanë me hak se janë pensionistë. Sa të zihen me gratë në shtëpi më mirë thonë të marrim kallamin me vete. Ca të tjerë janë të papunë, që hallin ua thonë peshqve.
Në "brigjet" e liqenit gjen shumëllojshmëri njerëzish, përfaqësues të denjë të kategorive të ndryshme të popullatës. Njëri është bojaxhi me profesion, por që zanat të dytë ka peshkimin. Dikush tjetër paradite punon në ndërtim, ndërsa pasdite e gjen të ulur mendueshëm me sytë nga grepi. Një tjetër ka qenë arsimtar për vite me radhë, diku në veriun e largët, ndërsa sot gëzon i qetë pensionin. Të gjithë kanë histori për të treguar, por kur vjen muhabeti te peshkimi e lenë kallamin në liqen dhe zor se mund t'i ndalë kush. Fillojnë e flasin gjerë e gjatë për gjithçka që u ndodh. Hanë inat me njeri-tjetrin. Aq shumë nxehet biseda ndonjëherë, sa fillojnë e i mburren shoqi-shoqit, se kush e kush është më i vjetri në peshkim. Liqeni Artificial është një nga të shumtët rezervate ujore ku peshkohet.
Peshkatarët thonë se nuk është më i miri, por për sport nuk është edhe aq i keq.
Shpëtimit i ka ecur mirë dita. Nuk ndodh të jetë gjithmonë kështu. Po punë e madhe. Peshkimi punë qejfi është. Ky sport nuk është për ushqyer fëmijët, e aq më shumë me Karas, që më shumë se tul ka hala. Po bereqaves edhe me kaq. Pa i shkëputur sytë nga kallami, 35-vjeçari, thotë se ka tri vite që merret me peshkim. Nuk është se gjuan rregullisht por kur del ama, thotë se ka raste që ia bën bam. "Paradite jam në punë. Për të gjuajtur dal vetëm pasditeve kur është kohë e mirë. Rri gati 3-4 orë të mira". Kaq mjafton për të hequr merakun. Kush rri më shumë fillon e bëhet manjak. Peshkimi është gati si venia e basteve. Po nuk fitove njëherë han veten me dhëmbë dhe kërkon të provosh përsëri. Kështu është edhe me peshqit. Po nuk kape sot, nuk të zë gjumi gjithë natën derisa të vijë mëngjesi, për të vrapuar sërish në breg. Kjo punë thotë Shpëtimi, do durim. "Ndodh që për ditë të tëra mos të kapësh gjë. Ca na quajnë të çmendur, pasi nuk e kuptojnë që ky është sport si gjithë të tjerët, ku edhe fiton edhe humbet. Vetëm se ka diçka që këtu fitimi është kënaqësia shpirtërore dhe jo materiale".
Në Liqenin Artificial peshku më i shpeshtë që mund të haset është Karasi. Peshkatarët thonë se rrallë mund të rastisë të kapet edhe ndonjë Krap, por kur ndodh ama i gjithë liqeni është në festë. Të kapësh peshk krap në Liqenin Artificial, është si të kapësh peshkaqen në brigjet e Patokut në Laç. Aq i rrallë është. "Këtu peshku më i shpeshtë që mund të gjuash është Karasi, një specie e vogël, e cila nuk përdoret për konsum në familje pasi ka shumë hala. Ka peshk të kuq apo zi, ndonjëherë edhe Krap, por në krahasim me Karasin, këto janë më të rrallë. Tani është koha që peshqit lëshojnë vezët në breg dhe mund të kapen më kollaj se në stinët e tjera". Shpëtimi thotë se stina më e mirë për të gjuajtur peshk është vera. Por kjo jo në Liqenin Artificial, ku ndotja e madhe, gati po e shfaros faunën nënujore.
Shumë nga ndërtimet e ngritura përreth i hedhin ujërat e zeza në liqen, çka ka çuar në zhdukjen e gjallesave. Ndotja është vetëm njëra anë e fenomenit. Nuk dihet sa e vërtetë është, por shumë nga peshkatarët thonë se në liqen përdoret edhe tritol. Kjo sipas tyre ndodh edhe gjatë ditës. Zoti qoftë me kryeqytetasit, po qe se një gjë e tillë rezulton e vërtetë, mund të ndodhë ndonjë hata. "Atje në gjirin e Kurvës ka ca peshkatarë që përdorin tritol për të vrarë peshqit. Nuk dihet se kush janë dhe nga vijnë", thotë Shpëtimi ndërsa na tregon me kokë gjirin namkeq. Po kështu thonë, prapë me llafet e peshkatarëve, se në liqen hidhet klor. Këtë sipas tyre e bëjnë banorët e zonës, që bezdisen nga prania e shumë gjuajtësve të peshkut në zonë. Hedhja e klorit, sqarojnë peshkatarët, largon peshkun nga brigjet. Ndryshe nga Shpëtimi që ka përqendruar kallamat pranë digës së liqenit, Agron Kabili, ka gjetur bregun përballë për të ushtruar peshkim. 65-vjeçari ka vite që ka dalë në pension. Për dreq, megjithëse ka hedhur që në mëngjes herët, kallamin në liqen, ai nuk ka kapur asgjë edhe pse dita po ngryset. "Jo, jo, sot nuk kam kapur asgjë. Ja e shikon atë atje poshtë, ai ka kapur gati 2 kile Karas". Po për Agronin nuk është ndonjë qamet i madh. Po nuk kapi sot do kapi nesër. Ai thotë se peshkimi është një mënyrë për të kaluar ditën. Jeta në pension është e vështirë. Nuk shtyhet gjithë dita me gruan në shtëpi. Po kështu të vrasësh kohën duke luajtur domino, siç bëjnë të moshuarit e tjerë, nuk është se i pëlqen shumë. "Pothuajse vij në liqen gati çdo ditë kur është kohë e mirë. Na është bërë si mikrob tani. Kam peshkuar edhe në vende të tjera, por liqenin e kam më për kollaj se e kam afër shtëpisë". Për të kapur peshqit, Agroni, përdor në këtë kohë krimba toke dhe karkaleca. Kjo në varësi të stinës, pasi çdo periudhë e vitit ka mënyrat e veta të ndjelljes së peshqve. Gjatë pranverës, për të mashtruar peshqit përdoret si karrem edhe gruri. Disa nga peshkatarët, që janë të regjur me këtë sport, dalin çdo mëngjes pa zbardhur dita për të mbjellë me grurë vendin ku do peshkojnë. Kjo është një metodë qëjo të gjithë e dinë. Ka edhe nga ata që i mbjellin krimbat në shtëpi, me lëkurë të tharë në diell. Të blesh tojat në dyqan kushton. Ndryshe nuk i dilet në këtë sport. Shpëtimi, thotë se sporti i peshkimit ka shumë kleçka, që bën mirë t'i dish, pasi në të kundërt kot që e hedh kallamin në liqen apo kudo qofsh. "Peshkimi ka shumë hile. Ato fillojnë që nga fija që përdor për të gjuajtur peshk, pozicioni që duhet të mbaj kallami, ushqimi që duhet përdorur si karrem e shumë gjëra të tjera. Po nuk dite këto, kot që lodhesh". Kështu e ka peshkimi. Kush i shikon këta njerëz të duruar që rrijnë gjatë gjithë ditës në breg, mendon se të gjuash peshk është sporti më i lehtë që ekziston. Por ja që nuk është edhe aq ashtu. Ky lloj sporti kërkon durim derri, nerva të çelikta e për më shumë ta kesh fjetur mendjen nga të gjitha anët. Shumë janë njerëzit që guxojnë të dalin për herë të parë me kallam në dorë, dhe fare pak ata që ia dalin mbanë kësaj pune deri në fund. Ca thonë se janë thinjur duke peshkuar. Po kështu ca thonë se u kanë rënë në qafë edhe fëmijëve. Domosdo të rrish gjithë ditën pas peshkut, nuk ka si të ndodhë ndryshe. Gjithsesi, asnjëri nuk është se ankohet për sportin e tij të preferuar. Këtë huq e dinë edhe gratë në shtëpi, të cilat për t'ua plotësuar dëshirën burrave peshkatarë, e përgatisin vetë torbën e bukës. Kështu është peshkimi, pak llafe dhe shumë durim. Kush nuk e kupton, kot që është martuar me peshkatar.
Peshkimi është gati si venia e basteve. Po nuk fitove njëherë han veten me dhëmbë dhe kërkon të provosh përsëri. Kështu është edhe me peshqit. Po nuk kape sot, nuk të zë gjumi gjithë natën derisa të vijë mëngjesi, për të vrapuar sërish në breg.
Të kapësh peshk krap në Liqenin Artificial, është si të kapësh peshkaqen në brigjet e Patokut në Laç. Aq i rrallë është. "Këtu peshku më i shpeshtë që mund të gjuash është Karasi, një specie e vogël.
"Atje në gjirin e Kurvës ka ca peshkatarë që përdorin tritol për të vrarë peshqit. Nuk dihet se kush janë dhe nga vijnë", thotë Shpëtimi