Presheva, 97 vjet në pritje të një vizite "shqiptare"

Zv. Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e përfundoi vizitën e tij zyrtare në Serbi me një pritje madhështore që iu bë nga qytetarët e Luginës së Preshevës. I shoqëruar nga ministri serb për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjen Vendore, Milan Markoviç, Meta u takua me përfaqësues të autoriteteve vendore të dy komunave të Preshevës dhe Bujanovcit, z. Ragmi Mustafa dhe z. Jonuz Musliu.
"Besoj se me këtë vizitë është një perspektivë e re edhe për Luginën e Preshevës, ashtu siç u hap për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë në Beograd",- tha Meta. Ai theksoi gjithashtu se shqiptarët e Preshevës dhe Bujanovcit kanë qenë më jetimët dhe më të diskriminuarit e shqiptarëve të rajonit dhe shprehu bindjen se "së bashku me Qeverinë e Serbisë do të arrijmë në një kohë të shkurtër të shënojmë një progres të dukshëm për të drejtat dhe për një integrim sa më të begatë të tyre, në mënyrë që kjo luginë të kthehet në një model të bashkëjetesës dhe të prosperitetit për të gjithë Ballkanin." Në këtë kuadër, Ilir Meta shprehu optimizmin që të drejtat e shqiptarëve do të përparojnë edhe për sa i përket çështjes së njohjes së diplomave të tyre nga autoritetet.
Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Metës, Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se "kemi 97 vjet që e presim një vizitë të tillë". Ndërsa Kryetari i Komunës së Bujanovcit, Jonuz Musliu, duke vlerësuar domethënien e kësaj vizite historike, tha se "marrëdhëniet që Shqipëria po ndërton me Serbinë, u shton shpresat shqiptarëve këtu për të ardhme më të mirë e më të begatë".