E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gurabardhi: “Kombëtarja është përmirësuar dukshëm”

Kombëtarja shqiptare në volejboll për femra prej disa ditësh i është rikthyer grumbullimit të radhës në pallatin e sportit "Ramazan Njala". Skuadra kuqezi e drejtuar nga trajneri Adrian Gorenxa dhe ndihmësi i tij Hasan Gurabardhi po stërvitet intesivisht në qytetin bregdetar përpara nisjes për në Maribor për 3 ndeshjet e para të turit të dytë eleminator. Zëvendëstrajneri Gurabardhi shprehet optimist për gjendjen që ka momentalisht përfaqësuesja e rrjetave. "Ekipi kombëtar po vazhdon stërvitjen me dy seanca, paradite në plazh dhe mbasdite në pallatin e sportit. Skuadra ka një përmirësim të dukshëm të treguesve tekniko-taktik nga dita në ditë dhe kjo vlen për t'u përshëndetur pasi është një sinjal pozitiv për ndeshjet e turit të dytë. Gjithashtu edhe kapitenia Prenga ka arritur formën e saj më të mirë. Në kaq ditë seanca stërvitore të zhvilluara deri tani ka patur një impenjim maksimal nga të gjitha volejbollistet dhe cdo gjë ka ecur sipas programit të planifikuar nga stafi drejtues. Në takimet e radhës padyshim që do t'i besohet më shumë përvojës së titullareve Prenga, gjithashtu edhe të Sukajt, pa harruar këtu edhe liberon Mecollari. Sa për dyshen e re të kombëtares Enkeleda Braho dhe Nerda Toska mund të them se janë volejbolliste me shumë prespektivë për fanelën kuqezi", u shpreh për ‘Panorama Sport' numri dy i stolit kuqezi, Hasan Gurabardhi. Grumbullimi i të besuarave të dyshes Gorenxa-Gurabardhi do të zgjasë deri në datën 5 qershor, pasi më 6,7,8 do të nisë aventurën europiane në tapet ndaj kundërshtareve të Sllovenisë, Moldavisë dhe Republikës Ceke. Më datën 17 dhe 18 maj ekipi kombëtar i femrave zhvilloi dy miqësore me përfaqësuesen maqedonase, nga të cilat volejbollistet tona morën 1 fitore dhe 1 humbje. Ndeshjet u luajtën në sallat sportive "Kale" dhe "Forca" në Maqedoni.
Olgert Serani

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›