Gurakuqi: “Ndoka tani po iu kërkon demokristianëve të bëhen anëtarë të një partie tjetër”
Zoti Gurakuqi, jeni shprehur para pak ditësh se gjykata nuk ka pranuar dokumentet e Nard Ndokës për kongresin, ndërsa pritet së shpejti që të ketë një gjykim në lidhje me legjitimitetin e kongresit tuaj. Mendoni se kjo ka ardhur për shkak të problemeve në dokumentacion?
Ndoka deri së fundi nuk ka paraqitur dokumentacionin e të ashtuquajturit Kongres të Jashtëzakonshëm të tij dhe vetëm para pak kohësh ka paraqitur në gjykatë një listë delegatësh me 398 emra, ku vetëm 36 prej tyre janë demokristianë, nga të cilët paradoksalisht ai është votuar me 460 vota pro. Ai nuk paraqet asnjë dokumentacion tjetër në gjykatë në lidhje me Kongresin e tij, ndërsa ne kemi paraqitur listën e delegatëve të ligjshëm të Kongresit të zakonshëm të vitit 2004, pasi çdo Kongres i Jashtëzakonshëm në bazë të Statutit të PDK duhet të bëhet me këta delegatë. Gjithashtu, ne kemi paraqitur në gjykatë dhe kemi bërë publike në media dhe listën e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së ligjshme të PDK, ku me shumë se dy të tretat e tyre kanë vendosur për thirrjen e Kongresit të Jashtëzakonshëm të 6 majit, ku u zgjodh kryetar Anton Guarkuqi me 2/3 e votave të delegatëve të ligjshëm të Kongresit të zakonshëm të PDK. Ne kemi paraqitur në gjykatë edhe vendimin e Komisionit Kombëtar të Garancive Statutore të PDK në lidhje me veprimtarinë në kundërshtim me statutin dhe programin e PDK të z. Ndoka që nga 2006 e në vazhdim.
Keni deklaruar se ka patur dhe probleme të mëparshme për sa i përket dokumentacionit që ka regjistruar Ndoka në gjykatë. Cilat janë ato?
Ne kemi bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Përgjithshme për z. Ndoka, pasi ai kërkoi të fuste dokumente të falsifikuara të PDK në gjykatë, të cilat tashmë ne i kemi bërë publike.
Prej kohësh jeni përfshirë në një betejë kërkesash ndaj kryeministrit për të larguar Ndokën nga qeveria. E njëjta gjë po ndodh dhe në krah të kundërt. A ka patur reagim apo ndonjë sinjal nga ana e kryeministrit Berisha?
Kryeministri Berisha me të drejtë ka arsyetuar të mos ndërhyjë në punët e brendshme të një partie aleate. Por, përfitoj nga rasti të përsërisim kërkesën tonë të drejtë, që z. Ndoka me imazhin e paaftësisë dhe të korrupsionit që po i jep qeverisë duhet larguar një orë e më parë nga posti i ministrit.
Zoti Gurakuqi, pse shkoi në këtë pikë situata, kur që në fillim dukej se Ndoka po krijonte një parti në parlament për të bërë presion e shantazhe politike?
Ne vazhdimisht kemi qenë kundër një politikëbërje të tillë nga z. Ndoka dhe ju e mbani mend që dhe para tre muajsh ne kemi kërkuar dorëheqjen e z. Ndoka, pasi PDK nuk mund të përcaktohet si një parti që në thelbin e politikëbërjes së vet të ketë presione e shantazhe politike për përfitime personale të Ndokës dhe të klanit të tij.
Zoti Gurakuqi, gjithë beteja që keni nisur fokusohet tek emri i Ndokës. Mos ndoshta rrënjët e problemit janë më të thella?
Ndoka sot në politikën shqiptare përfaqëson një fenomen që është shumë i rrezikshëm jo vetëm për Partinë Demokristiane, por për tërë politikën në përgjithësi. Ndoka përfaqëson sot në politikën shqiptare injorancën dhe paaftësinë, politikëbërjen mbi bazë shantazhi dhe presioni politik, duke u mbështetur në trafikun e deputetëve në parlament për të bërë pazare aspak mbi baza parimore, por mbi baza për fitime personale. Organizmat Ndërkombëtare kanë një përcaktim të qartë mbi klanin mafioz dhe pikërisht krijimi i një piramide të administratës së Ministrisë së Shëndetësisë mbi baza nepotike dhe klanore, ku në maj gjithmonë vendoset një person injorant dhe i paaftë për t’u përdorur lehtësisht nga i gjithë klani për përfitime personale. Këto lidhje ne do t’i bëjmë së shpejti publike. Prandaj, një fenomen i tillë jo vetëm që nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë, por duhet të flaket njëherë e mirë nga vetë politika si kërkesë e domosdoshme e proceseve të rëndësishme të integrimit euroatlantik që po kalon vendi ynë.
Ndoka është një fenomen apo largimi i tij është zgjidhja?
Zgjidhja jo vetëm për PDK, por për tërë politikën shqiptare është largimi dhe mospërsëritja e fenomenit ‘Ndoka’. Imoraliteti politik i Ndokës shkon deri aty sa, pasi ndërron 3-4 parti dhe vjen në PDK për ta shkatërruar atë, iu kërkon demokristianëve që të bëhen anëtarë të një partie tjetër. Në cilësinë e kryetarit të PDK, i them Ndokës se asnjë prej demokristianëve nuk ka shkuar dhe nuk do të shkojë asnjëherë në ndonjë parti tjetër, por ai dhe klani i tij duhet të largohen andej nga kanë ardhur dhe të mos e dëmtojnë më PDK. Me imazhin që Ndoka për dy vjet i dha PDK, i ka bërë dëmin më të madh kësaj partie që nga dita e krijimit të saj.
Zoti Gurakuqi, çfarë hapash pritet të ndërmerrni tani?
Së pari, duhet të kthejmë në mënyrë urgjente identitetin dhe dinjitetin moral të PDK, i dëmtuar shumë këto dy vitet e fundit. Kjo kërkon një angazhim të madh të tërë demokristianëve të vërtetë në të gjithë Shqipërinë.
Së dyti, si kryetar i PDK kam kërkuar thirrjen e tryezës të koalicionit të djathtë në lidhje me reformën zgjedhore dhe reformën në drejtësi, ku PDK do të dalë me propozime konkrete.
Së treti, në emër të Këshillit Kombëtar të PDK, do t’i kërkojmë kryeministrit, z. Berisha, riformatimin e menjëhershëm të qeverisë, ku PDK të përfaqësohet me vlerat e saj intelektuale dhe morale në qeveri si një domosdoshmëri për fitoren e zgjedhjeve të 2009 nga koalicioni djathtë.