E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvrasja e shqiptarëve të Shkupit

Çerçiz Loloçi 

Zgjedhjet më të fundit në Maqedoni përpos një fitoreje të madhe të forcave nacionaliste, rizbuluan edhe një herë se sa mbrapa gjendet klasa politike shqiptare dhe shqiptarët atje që herë votojnë për partinë e partizanëve të Ali Ahmetit dhe herë për partinë e «mykur» të Menduh Thaçit dhe që çdo herë e bëjnë më të papërfillshme prezencën e tyre në shtetin e brishtë të Shkupit. Një shqiptar në Maqedoni, por edhe në vise të tjera të banuara prej shqipfolësve, e kanë të vështirë të kuptojnë se ku ndryshojnë dy-apo tri parti shqiptare në Maqedoni, përveç një ambicieje të sëmurë të disa kapove politikë, që duan me çdo mjet që të jenë prezentë në maxhorancat maqedonase thjesht dhe vetëm për të përfituar personalisht.
Ndryshe nga politika zyrtare e Shqipërisë që herë është munduar të mbështesë drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt një forcë të caktuar politike shqiptare dhe herë një tjetër, (për të mos thënë se disa herë ka qenë protagoniste në tej përçarjen e elitës politike në shtetin fqinj, disa kanale televizive të Tiranës u përpoqën të ofronin pozicionet shqiptare pak para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Më shumë se sa të majtë apo të djathtë, shqiptarët në Maqedoni kanë nevojë për ato parti që kontribuojnë për të mos rrjedhur asnjë votë sepse vetëm kështu do të jenë me numër më të madh deputetësh, vetëm kështu do të jenë më të përgjegjshëm për fatet e tyre dhe me një llogari të thjeshtë atyre u bie që të rrinë vazhdimisht në pushtet. Me gjithë këto përpjekje ranë sërish në murin e vjetër të dy partive që këtë herë tronditën botën perëndimore me paudhësitë e tyre dhe u zvogëluan edhe më në sy të shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve.
Natyrisht, pozitës dhe opozitës maqedonase kështu u duhet faktori shqiptar, me grindje të pandërprerë, më zënka dhe kapardisje prej politikanësh kokëboshë, por përse duhet që shqiptarët e Maqedonisë ta pranojnë këtë status poshtërues. Janë ata që e kanë tërësisht në dorë për t’i bojkotuar një herë e mirë këto parti që nuk shohin qoftë edhe një herë për përmirësimin e statusit të tyre. Ndoshta vetëm atëherë do të lindin forca të reja politike që së paku në zgjedhje të përgjithshme parlamentare dhe në raunde të tjera zgjedhore të hyjnë së bashku për të pasur një grup të konsoliduar parlamentarësh që përcaktojnë gjithçka: Mbajnë në këmbë shtetin maqedonas dhe përmirësojnë ardhmërinë e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›