E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, dy variante për rrëzimin e emrave

PD-ja do të ketë në dispozicion dy variante për rrëzimin e dekreteve të presidentit, Bamir Topi. 

BLEDAR HOTI

Komisioni i Ligjeve nuk e mori një vendim konkret, por la që të paraqitej me një raport, në të cilën nuk pritet të kërkohej votimi i kandidaturave të paraqitura.  Ndërsa varianti tjetër lidhet me votimin e dekreteve, duke rrëzuar një pjesë të kandidaturave të paraqitura. Ndërsa nuk ka një datë se kur do të shqyrtohen dekretet e presidentit. Maxhoranca ka përfolur ditën e enjte, por rregullorja i lë hapësirë dy javë kohe për votim në seancë.
Varianti parë
Kryekomisioneri Fatos Beja do të hartojë një raport të komisionit të Ligjeve, duke paraqitur si pretendim se maxhoranca është shprehur kundër shqyrtimit të kandidaturave për shkak se ato nuk janë realizuar sipas procedurës së parashikon vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe ligji organik “Për organizimin e funksionimin e Gjykatës së Lartë”. Për këtë do të tentohet që të votohet në bllok mbi dekretet e paraqitura nga presidenti, duke synuar kthimin e tyre për rishqyrtim. Gjithashtu do të paraqitet edhe mendimi tjetër i pakicës në komision që seanca të votojë emër për emër dekretet e paraqitura nga presidenti. Por kjo nuk pritet që të pranohet lehtë nga maxhoranca.
Varianti i dytë
Varianti i dytë dhe brenda ligjit dhe Rregullores është që PD-ja të votojë në seancë për kandidaturat e paraqitura për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Pritet që PD-ja dhe maxhoranca të rrëzojnë një pjesë të kandidaturave të paraqitura nga presidenti. Në materialin paraprak të paraqitur dhe nga shërbimi i juristëve të Kuvendit theksohet se, nga pesë kandidaturat Kristaq Traja, Zamir Poda, Artan Zeneli, Medi Bici dhe Altina Xhoxhaj, vetëm dy prej tyre nuk plotësojnë kriteret ligjore. Gjithashtu bëhet e ditur se komisioni i Ligjeve duhet të vlerësojë nëse Artan Zeneli është jurist i shquar apo jo. Kandidatura tjetër, e cila sipas komisionit duhet rishikuar është ajo e Zamir Podës. Sipas materialit të paraqitur, Poda ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, për tetë vite me radhë, duke mos plotësuar mandatin e plotë. Traja, Bici dhe Xhoxhaj janë emrat që plotësojnë të gjitha kriteret sipas raportit të juristëve të Shërbimit të Kuvendit.
Shmangia e deputetëve
PD-ja shmangu debatin e brendshëm me presidentin, duke mos njoftuar mbështetësit e Topit në mbledhjen e komisionit parlamentar të Ligjeve. Dy anëtarët të deklaruar publikisht si mbështetës të Topit, Sali Sehu dhe Dashnor Sula nuk kanë marrë pjesë në këtë mbledhje. Ata janë zëvendësuar nga dy deputetët e tjerë demokratë Luan Skuqi dhe Ili Bano, të cilët njihen si mbështetës të linjës zyrtare të liderit të PD-së dhe maxhorancës në Parlament. Në mbledhjen e parë kur media nuk ishte pranishme, dy deputetët zëvendësues nuk kanë qenë të pranishëm. Më pas ata janë thirrur menjëherë për të balancuar raportin e votave, pasi mungonte edhe deputetja e PD-së, Arenza Trashani. Deputetët e opozitës kanë protestuar për praninë e tyre, duke u shprehur se ata nuk duhet të vinin në mes të mbledhjes, por që në fillim. Por kryekomisioneri Beja ka bërë të ditur se, Rregullorja e përmban  se kur mungojnë anëtarët, të pranishëm mund të jenë zëvendësuesit e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›