E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guvernatori Fullani: Kanë rënë fitimet e bankave

26/06/2009  Banka e Shqipërisë paralajmëron përkeqësim të kredive të këqija

“Ndikimi i krizës mbi ekonominë dhe sektorin financiar shqiptar është rritur”. Kjo ka qenë deklarata e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë në samitin e Guvernatorëve të vendeve të rajonit, para pak ditësh. Taksa bënte me dije masat e marra për të ulur ndikimin e efekteve të krizës globale, Guvernatori Fullani ka bërë të ditur disa tregues të sistemit bankar që kanë nisur të përkeqësohen. “Për shkak të rënies së marzhit të të ardhurave nga interesi dhe rritjes së provigjoneve, disa banka kanë filluar të akumulojnë rezultate financiare negative”, - theksoi në fjalën e tij Guvernatori. Jo të gjitha bankat kanë pasur mundësi të marrin frute pozitive gjatë muajve të para të vitit. Shkak janë bërë edhe rritja e provigjoneve që u janë dashur bankave për të përballuar kreditë e këqija.

Kreditë e këqija

Ndikimi i krizës financiare ndërkombëtare, sipas Guvernatorit, filloi të ndihet mbi sektorin financiar në Shqipëri në tremujorin e fundit të vitit 2008, kryesisht mbi kursimet e publikut. “Cilësia e portofolit të kredisë filloi të përkeqësohet dhe në fund të muajit prill 2009, kreditë me probleme arritën në 8 për qind të totalit të tepricës së kredisë. Ne presim, që kjo shifër të rritet edhe më tej, duke qenë se të dhëna nga ekonomia dhe nga vrojtimet lidhur me pritshmëritë e bizneseve, si dhe një ngadalësim i theksuar i kredidhënies, të çojnë në përfundimin se rritja ekonomike në vitin 2009 do të jetë shumë më e ulët, sesa në vitin paraardhës. Për shkak të rënies së marzhit të të ardhurave nga interesi dhe rritjes së provigjoneve, disa banka kanë filluar të akumulojnë rezultate financiare negative”, - tha Fullani. Një situatë e tillë tregon se bankat vijojnë të përballen me vështirësinë e moskthimit të kredive në kohë nga ana e klientëve, duke ndikuar në uljen e të ardhurave të përgjithshme të sistemit bankar në vend.

Rritja e vëmendjes

Ai vuri theksin në faktin se Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e saj mbi ndikimin e krizës financiare ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me ecurinë e ekonomisë shqiptare. Aktualisht po rishikohen planet që Banka e Shqipërisë ka për të vlerësuar mundësinë për veprime të reja, në rast se përballemi me skenarë të përkeqësuar. “Rreziqet ndaj rritjes ekonomike janë rritur dhe lidhen veçanërisht me një rënie të mëtejshme të kredisë të sektorit bankar, rritjen e deficitit tregtar, për shkak të perceptimit në rënie të pasurisë dhe rritjes së papunësisë në vendet e zhvilluara. Besojmë se, aktualisht ka më shumë nevojë për një politikë monetare të matur dhe politikë fiskale të përgjegjshme”, - tha Fullani. Sektori financiar, sipas tij, ka nevojë për vendosjen e rregullave të caktuar, për të mbështetur në të ardhmen një zhvillim të sigurt dhe të ekuilibruar të industrisë financiare dhe sektorit bankar. “Autoritetet mbikëqyrëse dhe qeveria duhet të kenë plane të shëndosha për ngjarjet e paparashikuara për menaxhimin e ndonjë krize të mundshme financiare. Ngjarjet e kohëve të fundit në vendet e tjera kanë dëshmuar rëndësinë e ekzistencës të një plani veprimesh të koordinuar mirë, të diskutuar, të pranuar dhe të testuar paraprakisht. Jam në favor të ndryshimeve të nevojshme, për ta bërë atë më pak prociklik. Në rastin e Shqipërisë, ku nivelet minimale të kapitalit të kërkuar janë tashmë të larta, unë do të isha në favor të futjes së një modeli provigjonimi dinamik, të përshtatur me strukturën e biznesit dhe me nivelin e sofistikimit teknik të sektorit bankar. Do të mbështesja rishikimin e kuadrit rregullator drejt qartësisë dhe thjeshtësisë, ndonëse kjo mund të interpretohet sikur po mbështes më shumë një metodë të mbikëqyrjes të bazuar në rregulla”, - tha Fullani. Sipas tij, çdo masë që do të kontribuonte në krijimin e një kuadri të fortë ligjor për titujt dhe të drejtat e pronësisë në Shqipëri, do të ishte nevojshme.

Mblidhen guvernatorët e rajonit

Guvernatorët e Bankave Qendrore të rajonit diskutuan gjatë një takimi në Malin e Zi mbi ndikimet e krizës globale. Samiti rajonal i guvernatorëve dhe bankierëve me temë “Masat kundër krizës globale në sektorin financiar”, pati në fokus rritjen e bashkëpunimit midis institucioneve financiare në rajon dhe shkëmbimin e eksperiencës për parandalimin dhe zbutjen e efekteve të krizës aktuale globale, me qëllim rigjallërimin e sistemit bankar dhe ekonomive. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, foli për masat e ndërmarra për zbutjen e ndikimit të krizës në sistemin bankar dhe mbi ekonominë shqiptare.

Në rënie interesat e euroborit

Interesat e euroborit kanë rënë në nivelin e 1.15 për qind, një prej niveleve më të ulëta historike. Kjo rënie në tregjet e huaja pritet që të reflektohet edhe në sistemin tonë bankar, me uljen e interesave për kreditë e reja që jepen në monedhën evropiane. Prej fillimit të vitit, normat referuese ndërkombëtare të interesit për euron, por edhe për monedhën amerikane shënuan rënie. Normat e interesit ndërbankar për dhënien e kredisë pothuajse janë përgjysmuar gjatë dy muajve të parë të këtij viti. Euribori me afat tremujor ra në 1.15, nga 1,825 për qind në fund të shkurtit dhe 4.7 për qind që ishte gjatë vitit 2008.

Rreziku i inflacionit

Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit. Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës vërejnë se rreziku i inflacionit për ekonominë shqiptare është në rritje dhe inflacioni gjithashtu, si pasojë e zhvlerësimit të lekut. Ata paralajmërojnë se ndikimi i këtij fakti në ecurinë e çmimeve do të sjellë të tjera pasoja në muajt e ardhshëm. Sado që inflacioni mund të mbetet brenda objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë, çmimet do të vijojnë të jenë kështu një kërcënim për ekonominë. Kjo gjë u duk edhe në faktin se rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare e ndikoi pak ose aspak tregun vendas.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›