Guvernatori Fullani: “Mund ta ulim normën bazë të interesit së shpejti”
“Banka e Shqipërisë nuk e përjashton mundësinë e uljes së normave bazë të interesit dhe mund ta bëjë diçka të tillë në rast se pritshmëritë për ecurinë e inflacionit do të mbeten të ulëta”. Këtë e ka deklaruar guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, për agjencinë "Reuters" në Athinë, ku gjendej për një takim rajonal. Norma bazë e interesit të lekut është aktualisht 5.75 për qind dhe është ndryshuar për herë të fundit në janar të këtij viti. Norma bazë ndikon në interesin e kredive e depozitave dhe shumë analistë i patën sugjeruar më herët BSH-së ta ulë normën bazë, me synimin për të lehtësuar kredimarrjen dhe ekonominë në tërësi në kohë krize. BSH-ja, nga ana e saj, deklaroi se vetëm pasi qeveria të reduktonte shpenzimet e veta, ajo mund të "ndiqte një politikë monetare më liberale". Për më tepër, ndërsa norma bazë e interesit u ul nga 6.25 në 5.75 për qind në janar, interesat e bonove të thesarit vijuan të rriten si pasojë e kërkesës konstante për borxh të qeverisë dhe mungesës së parave për blerjen e borxhit publik nga ana e bankave. Sipas një studimi të BSH-së, ulja e normave bazë të interesit ka mundësi të shoqërohet me tendencë nënçmuese të monedhës kombëtare lek, gjë që ka qenë edhe argumenti më i fortë kundër uljes, pavarësisht krizës.
Rënia e lekut në treg, Banka Qendrore ndërhyn për ta frenuar
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti për të ruajtur ekuilibrat e lekut në tregun e këmbimit valutor. Më konkretisht, institucioni mbikëqyrës bankar ka shitur valutë në masën 1.93 miliardë lekë. Nëpërmjet shtimit të sasisë së valutës në treg u synua që të frenohej zhvlerësimi i lekut, një dukuri që ka nisur që prej fillimit të këtij viti. Sipas BSH-së, këto ndërhyrje u përqendruan kryesisht në muajin prill dhe maj. Gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. “Shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të dytë llogariten në 6.99 miliardë lekë. Vëllimi i blerjeve me Ministrinë e Financave për këtë periudhë ishte 5.87 miliardë lekë. Blerjet e valutës nga institucionet e huaja llogariten në 83.53 milionë lekë (Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim, FMN-ja dhe BERZH-i)” - bëhet e ditur në deklaratën e BSH-së. Sipas saj, ndërhyrjet në tregun e parasë gjatë 3-mujorit të dytë të vitit 2009 përfshijnë operacione të tregut të hapur për injektimin e likuiditetit. Për të injektuar likuiditetin, BSH-ja përdori instrumentin e saj kryesor, marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor, mesatarisht 16.68 miliardë lekë në javë, si dhe instrumentin rregullues me maturim 3-mujor. Instrumenti rregullues u përdor në 5 raste, mesatarisht 3.4 miliardë lekë për ankand.
BSH: Depozitat u rritën në muajin gusht me 25 miliardë lekë
Muaji gusht i këtij viti ka shënuar një fluks në rritje të depozitave në sistemin bankar. Banka e Shqipërisë, në raportin mbi zhvillimet ekonomike në 6-mujorin e parë të vitit 2009, bën të ditur se totali i depozitave kundrejt vitit 2008 u rrit me rreth 25 miliardë lekë (90% e të cilave në euro), ose me rreth 4 për qind më shumë, duke shënuar rritjen më të madhe gjatë këtij viti. Sipas BSH-së, në gusht 2009 depozitat u rritën me rreth 20 miliardë lekë në krahasim me korrikun 2008, e mbështetur kjo nga fluksi i emigrantëve dhe rritja e besimit të publikut ndaj bankave. Duke iu referuar statistikave të publikuara në raport, depozitat arritën në nivelin më të lartë që prej tetorit të vitit 2008, kohë kur filloi dhe tërheqja e kursimeve, si rrjedhojë e panikut të shkaktuar nga kriza financiare globale. Sipas të dhënave të BSH-së, niveli i depozitave mbetet rreth 19 miliardë lekë më i ulët në krahasim me gushtin e vitit 2008. Por ekspertët bankarë vërejnë se një zhvillim pozitiv mund të shihet në ngushtimin e diferencës mujore në krahasim me muajin korrik, ku depozitat në korrik 2009 ishin rreth 24 miliardë lekë më të ulëta se muajin përkatës të 2008-ës. Gushti ka qenë historikisht një muaj i mirë për depozitat për shkak të prurjeve të emigranteve, por këtë vit pritshmëritë ishin më të ulëta, si rrjedhojë e efekteve të krizës.
22 Tetor 2009