E Diel, 1 Nëntor 2026

Guxholli, zbardh politikën antiçmime të qeverisë

Qeveria shqiptare ka hartuar një plan për të përballuar një zgjerim të mëtejshëm të krizës së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm që ka prekur vendin. Suzana Guxholli, këshilltare Ekonomike e Kryeministrit, tha dje për mediat se qeveria shqiptare nuk është gjetur e papërgatitur ndaj kësaj situate. Për të amortizuar goditjet që mund të pësojë ekonomia shqiptare, qeveria ka ndërmarrë politika të ndryshme duke e mbajtur inflacionin në vlera stabël, ka rritur pagat e pensionet dhe ka krijuar një klimë sa më të përshtatshme për thithjen e investimeve të huaja. Sipas raporteve të ndërkombëtarëve, ekonomia shqiptare ka njohur rritje të konsiderueshme në vitet e fundit. Një nga sektorët e rëndësishëm që ka bërë të mundur pacenueshmërinë e nivelit të çmimeve në treg ka qenë bujqësia, produktet e së cilës kanë vetëplotësuar nevojat e vendit. Ndërsa Ismail Beka, përfaqësues i GTZ në vendin tonë, shprehet se ne jemi pjesë e kësaj krize tashmë, pasi tregu vendas është i varur nga mallrat e importit, të cilat zënë pjesën më të madhe të tij. Beka sugjeron se duhet të ndërmerren politika mbështetëse për fermerët, si dhe të arrihet shfrytëzim më i madh i tokës bujqësore. Ka më shumë se një muaj që në tregjet shqiptare janë rritur çmimet e ushqimeve, karburanteve dhe asortimenteve të tjera, çka po bëhet çdo ditë edhe më e prekshme për konsumatorin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›