E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia për shtëpi, kushtet do shtrëngohen

SHKRUAN: Blerina Hoxha 11-02-2011 10:57

Të marrësh një kredi për blerje banese, këtë vit do të jetë shumë më e vështirë dhe ndoshta e pamundur, në krahasim me vitin që kaloi. Sipas një vrojtimi që Banka e Shqipërisë ka bërë në bankat e nivelit në lidhje me perspektivën e kreditimit, opinionet në lidhje me kreditimin e individëve nuk kanë rezultuar optimiste. “Shtrëngimi i standardeve do të jetë më i ndjeshëm në kreditë e dhëna me qëllim blerjen e banesës sesa për ato për konsum”, janë shprehur bankat për Bankën Qendrore. Sipas vlerësimeve të ekspertëve të bankave, standardet e kredisë për individët gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 pritet të jenë më të shtrënguara krahasuar me nivelin aktual të tyre dhe sidomos për kredinë për shtëpi. Ky lajm nga Banka e Shqipërisë për shtrëngim të kritereve të kredisë për banesave vjen shokues në një kohë kur tregu i ndërtimit dhe shitja e apartamenteve të reja është bllokuar totalisht për shkak të moskreditimit nga bankat. Gjithashtu, ky lajm është po aq i trishtueshëm për të gjithë ata që janë të interesuar të blejnë një shtëpi dhe që ishin në pritje të çlirimit të kredisë në këtë drejtim. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë vëren se kërkesa e individëve për kredi është vlerësuar në rritje nga ekspertët e bankave. Që prej fillimit të vitit 2010, ekspertët e bankave kanë raportuar një luhatshmëri më të madhe nga tremujori në tremujor të kërkesës për kredi me qëllim blerje banese krahasuar me atë për qëllime konsumi. Gjatë tremujorit të katërt, kërkesa për kredi për të dyja kategoritë është përmirësuar ndjeshëm. Përkatësisht, kërkesa për kredi për banesa rezultoi 17.5% dhe ajo për kredi konsumatore 20.1%. Pothuajse të gjithë faktorët e konsideruar ndikuan pozitivisht në rritjen e kërkesës për kredi të individëve. Nevoja e financimit të konsumit dhe të banesës edhe pse në një shkallë më të ulët, vlerësohen nga bankat si faktori kryesor që nxiti rritjen e kërkesës për kredi të individëve. Standardet e kreditimit për individët u lehtësuan në tremujorin e katërt të vitit 2010, pasi kishin regjistruar shtrëngim modest në tremujorin e kaluar. Lehtësimi i standardeve në tremujorin e katërt është në linjë me pritjet e shprehura nga ekspertët e bankave me një vrojtim më të hershem. Rezultatet e vrojtimit sugjerojnë se standardet e kredisë dhënë individëve me qëllim financimin e banesës vijojnë të jenë të lehtësuara edhe pse në një shkallë më të ulët se një tremujor më parë. Ndërsa standardet e kredisë me qëllim financimin e konsumit u lehtësuan ndjeshëm pas shtrëngimin në tremujorin e tretë të vitit 2010. Ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja e likuiditetit, konkurrenca në sistemin bankar si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kontribuan në lehtësimin e standardeve të kredisë për individët. Kontributi pozitiv i faktorëve që lidhen me likuiditetin dhe me zhvillimet e pasurive të paluajtshme është ulur në krahasim me tremujorin e kaluar. Nga ana tjetër, kontributi i faktorëve që lidhen me gjendjen e kredive me probleme dhe gjendjen financiare të individëve ka ulur masën e ndikimit negativ në lehtësimin e standardeve. Bankat kanë raportuar se politika lehtësuese e standardeve të kredisë është zbatuar kryesisht nëpërmjet rritjes së maturitetit maksimal të kredisë si dhe rritjen e madhësisë së kredisë. Ndërsa, zgjerimi i kredisë me rrezik, rritja e kërkesës për kolateral dhe rritja ulja e raportit këst ndaj të ardhurave ndikuan në kahun shtrëngues të standardeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›