Guximi për të vrarë
Sot jemi të gjithë të pafuqishëm të ngushëllojmë familjen Rroshi për atë që ka ndodhur, njësoj si disa javë më parë kur ishim të pafuqishëm të besonim se ai do të zhburrëronte Sali Berishën në qytetin që po e mban në politikë për 20 vite. Tipologjia e këtij krimi është ndoshta më makabrja që ka ndodhur në historinë e këtij vendi. Ai mbart brenda një urrejtje të fortë, një barbari të madhe dhe një guxim që ta jep vetëm një regjim ku krimet nuk ndëshkohen.
Do të desha të ndalem pak pikërisht tek guximi për të bërë një krim të tillë. Po shkoj fillimisht në versionin më të butë, në atë që krimi mund të ketë ndodhur për arsye të hakmarrjeve personale. Një operacion i tillë kriminal do shumë organizim. Ai kërkon siguri nga policia, logjistikë nga sistemi shëndetësor, dhe mbi të gjitha qetësinë e vrasësve. I kanë pasur të tria. Nuk dua të rrëqeth mishin e askujt duke sjellë për disa sekonda ndërmend çfarë kanë bërë, por dua të shënoj fort se ky krim nëse është ordiner, nuk do të kryhej kurrë nëse nuk do të kishim këtë politikë që kemi ndaj krimit. Në Shqipëri Sali Berisha ka inkurajuar një sistem pervers të ndëshkimit, i cili bazohet tek kontributi i gjithsecilit që ka dëshirë të bëjë një krim, mjafton që atë ta bëjë ndaj kundërshtarëve të vet. Sali Berisha ju siguroj se ndoshta nuk e njeh kush e ka vrarë Fatmir Xhindin apo kryetarin e Komunës Tërthore, por vrasësit e njohin Sali Berishën, dhe e dinë që për gjëra të tilla ai nuk të dënon. Sali Berisha dhe familja e tij nuk i njohin as agresorët e gazetarëve, por agresorët e dinë se duke qëlluar mbi gazetarët kritikë të Berishës, janë të mbrojtur dhe të shpërblyer. Sali Berisha nuk i njeh nga afër ata kriminelë që dhunuan procesin zgjedhor në Tiranë dhe disa rrethe të tjera, por ata e njihnin Berishën dhe e dinin se ajo që po bënin do të shpërblehej. Për këtë arsye ata që kanë bërë këtë krim të tmerrshëm ndoshta nuk janë bash një bandë e Berishës, por janë një grup kriminal që e dinë se e gëzojnë Berishën me këtë që kanë bërë dhe janë të qetë se as policët, as mjekët, dhe askush në këtë vend nuk do të tregojë me gisht nga ata derisa në krye të vendit të rrijë Sali Berisha. Kjo është politika që ka prodhuar dje atë krim, nëse jemi në kushtet e një krimi ordiner, pa prapavijë politike. Kjo është politika që mban në terror çdo opozitar, çdo kritik të qeverisë, çdo kënd që i zë hisen e diellit Sali Berishës. Leksioni për të gjithë këtë kategori është i qartë, vrasësit dhe dhunuesit e tyre nuk do të gjenden kurrë. Ky është një sistem makthi dhe frike që Berisha e ka përsosur si sistem ndëshkimi ndaj kundërshtarëve të vet në këtë vend. Është pra një sistem që vetëfunksionon, që vetëfrymëzohet dhe bëhet agresiv duke pasur të sigurt mosndëshkueshmërinë. Asnjë diktaturë e përsosur nuk ka krijuar ndonjë sistem kaq të përsosur ndëshkimi se sistemi i makthit për jetën ku ka futur Sali Berisha kundërshtarët e vet. Me shembujt e gjallë të mosndëshkimit të asnjë prej vrasësve dhe asnjë prej dhunuesve të vet, ai ja ka dalë të ketë patentën e këtij sistemi. Diktaturat politike kanë pasur ligje kriminale, që ta bënin të qartë fundin. Demokracitë e zhvilluara kanë sistem ligjor të tillë që ta bëjnë të qartë sigurinë e jetës tënde dhe të drejtave të tua. Sisteme mafioze si ky i yni janë më të këqijtë se këtu ka vetëm një gjë të sigurt, siguria që krimi nuk ndëshkohet kur kryhet mbi kundërshtarët e Berishës. Ky është thelbi i pistë i Sali Berishës, burracakëria e tij, pabesia dhe ligësia ndaj kundërshtarëve dhe mbi të gjitha ndjenja e pështirë e të kënaqurit me fatin e zi të kundërshtarëve të vet.
Por shumë miq të mi në Kavajë dje më thanë diçka që shkon shumë larg. Më thanë që Elvis Rroshi është kërcënuar disa ditë më parë. Është kërcënuar me jetë në emër të asaj që ai ka bërë politikisht. Kjo më bën të pafuqishëm për të dhënë një recetë se si mund ta zgjidhim këtë histori nëse ai tmerr mbi familjen e tij ka ardhur nga shkaku i fitores së tij historike në Kavajë. Nuk dua ta besoj asnjë sekondë këtë, por dhe një sekondë po të jetë e vërtetë, Sali Berisha meriton fatin e Ben Alisë. Dhe atje nga një poshtërim shumë herë më i pakët se ky nisi e gjitha. Kjo që ka ndodhur është shumë për të heshtur, është shumë për ta falur dhe akoma më shumë për ta lënë qoftë dhe një sekondë të sundojë në këtë perandori frike që po përpiqet të ndërtojë. Guximi i tij për të vrarë duhet zëvendësuar me guximin për të vrarë frikën që ai po ngjall. Ky nuk është një krim që falet, pasi na turpëron edhe sikur ta kishim bërë ndaj një populli tjetër.
