E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët dhe ideja e referendumit për emrin

01-06-2011 / Nga Rizvan Sulejmani

Sot pata një takim me disa intelektual dhe kolumnistë maqedonas për çështjen e fushatës parazgjedhore dhe matjen e rejtingjeve partiake. Për çudinë time, për së pari herë patëm pajtim për shumë çështje që diskutuam. U pajtuam se shqiptarët kësaj radhe nuk i përcollën incidentet që zakonisht ishim mësuar ti shihnim në fillim të fushatës. U pajtuam se fushata në shumë aspekte është pa përmbajtje dhe pa ide. Ajo çka posaçërisht më bëri përshtypje, ishte fakti se kishim mendime të ngjashme rreth ofertave që i ofrojnë partitë politike për mënyrës e zgjedhjes së çështjes së emrit. Kjo ishte shkaku edhe pse u paraqita me këtë tekst. Bile, pajtimi shkoi aq larg saqë u shpreh një gatishmëri që me një tekst të përbashkët, të dalim unë me një profesor maqedonase në shqip dhe maqedonisht për këtë rast. Teksti duhej të kishte rolin e protestës dhe demarshit për qëndrimin që paraqesin dy partitë kryesore të vendit për këtë çështje. Bëhet fjalë për programet e partive politike maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM. Këto subjekte, në programet e shkruara parazgjedhore pajtohen që të ketë referendum për çështjen e emrit. Sigurisht se në këtë moment, m nuk është aktuale kjo çështje, por jemi në fushatë parazgjedhore dhe ka nevojë për tërheqje të vërejtjes dhe zgjuarsi. Ado të krijohet presedani i dytë? Ky lloj anashkalimi i mendimit shqiptar për çështje që janë me interes të përbashkët, njëherë Maqedoninë e solli buzë greminës. Të përkujtojmë rastin e referendumit për ndarjen territoriale, kur jashtë frymës dhe obligimeve kushtetuese që dalin nga Marrëveshja e Ohrit, Ligji u vë në referendum. U desh një intervenim robus i Amerikës me pranimin e Maqedonisë me emrin kushtetues që ta shpëtojë situatën. A do të thotë se kurdoherë kur duhet të anashkalohet mendimi politik i shqiptarëve, referendumi do të jetë rrugëdalje?. Kjo si duket ma vërtetoi tezën time pesimiste rreth integrimeve, e posaçërisht, rreth çështjes së emrit edhe nëse ndërrohet pushteti tek partitë maqedonase. Andej, si pa dashje thash: E tani është e qartë se gjithë ata që mendonin se Branko do ta çoj Maqedoninë në Evropë dhe NATO, nuk kishin të drejtë. Dyshimi shtohet kur dihet se ai, tërë kohën manipulonte me opinionin se hedhja e kësaj çështje në referendum, është ikje nga përgjegjësia e Gruevskit, e jo zgjidhje e problemit. Si ndodhi që tani të ketë të njëjtin qëndrim. Au tradhtuan shqiptarët që në start, para se ta bënte koalicionin e famshëm pro-evropian, shqiptaro- maqedonas, 50% me 50%. Unë edhe më herët isha shprehur se mundësia që partitë e majta maqedonase me gjithë partitë shqiptare bashkë, të zgjedhin problemin e emrit, pothuajse është e pamundur. Arsyet janë nga më të ndryshmet, por arsyeja kryesorja për këtë skepticizëm, është përvoja e Bukureshtit. Para Samitit të Bukureshtit, partitë politike në përkrahje të ndryshimit të emrit, kishin numrat e nevojshëm në Parlament, por Gruevski jo se jo, por as Branko në kapacitetin e kryetarit të shtetit nuk e mori atë përgjegjësi. Më kujtohet një debat televiziv, ku edhe vetë isha prezent kur edhe Andovi edhe Tito Petkovski u shprehën pro ndryshimit të emrit. Pra, nuk ishte çështje numrash, por çështje legjitimiteti në bllokun maqedonas. Aso kohe, partia e Gruevskit bile nuk i kishte 63 deputet. Çka nëse rezultatet e anketave që tregojnë një diferencë prej dhjetë deri më pesëmbëdhjetë deputetë në favor të VMROsë, shndërrohen në mandate?. Nuk jam i bindur se do të guxojë LSDM ta ndërrojë emrin pa marrë parasysh përkrahjen që mund ta ketë nga partitë politike shqiptare. Nëse është realitet se çështja e emrit do ti nënshtrohet referendumit edhe nëse fiton e majta me aleatët e saj, a nuk është e qartë se nuk ka dallime për këtë çështje në bllokun politik maqedonas?!. Duke pasur parasysh këtë situatë, shtrohen një varg pyetjesh: A e kanë prioritet integrimin e vendit partitë maqedonase? Për më tepër kjo hap pyetjen: a kanë shqiptarët tani qëndrim për këtë pozicion të ri të partive maqedonase? A nuk do të thotë se partitë politike maqedonase i larguan shqiptarët nga vendimmarrja, pasi referendumi është një formë elegante për të eliminuar ndikimin e politikës shqiptare në këtë çështje? Çka nëse partitë maqedonase pajtohen për ndonjë zgjedhje që nuk do të ishte në favor të shqiptarëve? Cili është mekanizmi mbrojtës në këtë situatë? Si do të mund ta bllokonin partitë politike shqiptare në rast të ndonjë zgjedhjeje anti-shqiptare?. Deri tani nuk kam dëgjuar ndonjë prononcim nga partitë politike shqiptare. Dëgjova një koment të heshtur se nuk i mbetet gjë LSDM-së, përveç se popullzimit të VMRO-së ti përgjigjet me populizëm. E këtu edhe qëndron problemi kryesor i Maqedonisë. Nuk ka luftë idesh dhe alternativash, por thjeshtë luftë për pushtet. Sfida kryesore në këtë vend është si lufta për shtet, të jetë mbi luftën për pushtet. Ky pasion për pushtet, gjithmonë do ta topit dëshirën për reforma që forcojnë shtetin, por mund ta dobësojnë e pushtetin. Vet ndërrimi i pushteteve nuk i sjellë shumë dobi as shqiptarëve e as qytetarëve të Maqedonisë, nëse ai nuk pasohet me alternativa serioze për forcimin e shtetit. Këto ishin çështjet për të cilët ramë dakord me një grup intelektualësh maqedonas. Gjithashtu, u pajtuam se Maqedonia ka nevojë për bllokadë demokratike kundër popullzimit dhe paraqitjeve devijante politike. Në këtë frymë, gjatë diskutimit u hapën edhe shumë çështje që rrezikojnë frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Ndër të tjerash, u përmendë Gjykata Kushtetuese, kryetari i shtetit - që si figurë unifikuese e kombit, i mungon legjitimiteti i shqiptarëve. U vu në thumb edhe norma kushtetuese që referendumin e parasheh si mekanizëm që shteti të mund ti bashkëngjitet një shteti, apo një aleance pa instrument mbrojtës në rast se shqiptarët nuk pajtohen. E çuditshme, por e vërtet, së paku në tavolinë e në kafe muhabet, këta intelektual i mbështetën këta qëndrime të mia. Nuk mund të garantojë për sinqeritetin e tyre. Unë tregojë vetëm se çka dëgjova, nuk mund ta dija çka ata bluanin në kokë. A kanë guxim që publikisht ti thonë, gjithashtu nuk e di, por gjersa sot thuhen në tavolinë, nesër mund të thuhen edhe publikisht, pse jo edhe të pranohen si orientime politike. Andaj, e imja është të paralajmëroj, kurse politika ka për detyrë ti gjurmojë, pse jo edhe ti promovoj idetë pozitive, por edhe ti parandalojë tendencat e rrezikshme.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›