“HEC-et kanë tejmbushje, shkarkimet e vullnetshme për evitimin e përmbytjeve”

Deklaron ministri i Energjetikës Dritan PriftiOSSH të ulë importin në nivelin zero, furnizimi me energji elektrike do të përballohet nga prodhimi vendasMinistri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti raportoi dje mbi situatën më të fundit hidrike në vend, pas reshjeve të shumta të shiut. Ministri Prifti u shpreh se reshjet e dendura dhe pa ndërprerje kanë rritur në nivele maksimale kuotat e ujit në liqene, duke bërë të detyrueshme hapjen e portave të hidrocentraleve të Komanit dhe Fierzës. “Prurjet e ujërave në kaskadën e Drinit kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë natës së datës 26 dhjetor duke vazhduar ditën e datës 27, për shkak të shirave të vazhdueshme dhe shkrirjes se dëborës në zonat malore. Të dhënat e fundit tregojnë se niveli në HEC-in e Komanit ka arritur në 174.50 m (niveli maksimal 175m), ndërkohë që prurjet në liqen janë 1220m3/s; në HEC-in e Vau Dejës niveli ka arritur në 75.40 m (niveli maksimal 76m) dhe prurjet anësore 150 m3/s. Të dy hidrocentralet punojnë në kapacitet të plotë, Komani me 4 agregate dhe Vau i Dejës me 5 agregate. Situata është vështirësuar edhe në HEC-in e Fierzës, në të cilin niveli ka arritur në 289.34 m (niveli i lejuar 290 m për këtë muaj) dhe prurjet 1350 m3/s, ndërkohë që HEC Fierzë është në gatishmëri të plotë për prodhim”, u shpreh ministri i Energjetikës Dritan Prifti. Për të shmangur çdo rrezik si pasojë e kapërcimit të digave të lumenjve, Ministria ka urdhëruar hapjen e portave të shkarkimit sipas një orari të përcaktuar. “Për shkak të rritjes së nivelit pranë kufijve të lejuar dhe shmangien e katastrofave, në përputhje me rregulloren mbi shkarkimin e plotave, në mëngjesin e datës 27.12.2009 në orën 9:10, janë hapur portat e shkarkimit në HEC-in e Komanit dhe më pas, në orën 11:20 janë hapur dhe portat e shkarkimit në HEC-in Vau i Dejës, prej të cilave po shkarkohen rreth 400m3/s”, tha Prifti. Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë vënë në funksionim të gjitha agregatet në hidrocentralin e Fierzës dhe Matit, për të marrë kapacitetin e plotë të prodhimit të energjisë elektrike. “Për shkak të rritjes së nivelit në HEC-in Fierzë, gjatë orëve të ardhshme do të duhet të vihen në funksionim agregatet e tjerë në këtë hidrocentral duke marrë kapacitetin e plotë prej tij. Një situatë e ngjashme është krijuar dhe në kaskadën e Matit e cila po prodhon me kapacitet të plotë dhe njëkohësisht po shkarkohen rreth 250m3/s për të ruajtur nivelet e liqeneve brenda kufijve të lejuar të sigurisë. Në këto kushte, megjithëse shkarkimi i ujërave të tepërt është duke u kryer në mënyrën me graduale të mundshme duke përdorur në maksimum prodhimin vendas, ngritja e temperaturave, reshjet e shumta në rajon, parashikimi për vazhdim të tyre në ditët e ardhshme, dhe futja në punë e HEC-it Fierzë, mund të sjellin rritje të konsiderueshme të derdhjeve në pjesën fundore të kaskadës së Drinit”, deklaroi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Dritan Prifti. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, së bashku me të gjitha institucionet e varësisë, KESH e OST janë duke ndjekur në vazhdimësi 24-orësh dhe menaxhuar situatën nëpërmjet grupeve të punës të ngritura për këtë qëllim me urdhër të posaçëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe organet e pushtetit vendor. Gjithashtu, janë marrë masa për koordinimin me OSSH për uljen e importit të energjisë e cila do të kompensohet nga prodhimi vendas. Në këtë drejtim, ministri Prifti vuri në dukje se për përballimin e situatës janë njoftuar Kabineti i Kryeministrit, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, organet e pushtetit vendor, për marrjen e masave nëse situata do sjellë fryrje të mëtejshme të lumit Drin, gjë që mund të sjellë edhe dalje të Drinit nga shtrati....