E Diel, 1 Nëntor 2026

HISTERIA PRO PANGO...

Ndodh një dukuri e çuditshme në Shqipëri sa herë shpërthejnë skandale. Në fillim është një valë masive denoncimi dhe distancimi nga keqbërësit apo fenomeni, dhe deri këtu gjithçka është e kuptueshme. Por fill pasi qetësohen gjakrat, dhe në Shqipëri qetësohen po aq shpejt sa dhe ndizen, fillojnë zërat e dytë, ata që kanë ide të tjera nga të parët dhe që ose e bëjnë për t‘u dukur interesantë, ose liberalë, ose nuk u bën përshtypje asnjë e keqe. Këto zëra fillojnë merren me keqardhjen për atë që ka kryer aktin dhe gjetjen e shkakut, pse jo dhe fajit, te të tjerët.

Shpërthimi i një zemërimi masiv ndaj Pangos nuk ishte thjesht dhe vetëm kundër tij. Ishte një zemërim i justifikuar i një shoqërie të tërë, që ka kohë që akumulon një mllef të paparë për ata që shpërdorojnë pushtetin në të gjitha mënyrat e mundshme, deri te ato më perverse. Deri këtu jemi në rregull, dhe në fund të fundit, edhe të ngushëlluar, se shoqërisë shqiptare i ka mbetur ende morali bazë. Argumenti kundër se kështu bëjnë të gjithë apo se të gjithë e kemi kryer dikur, diku, një mëkat në jetë, nuk është në fakt as argument, as justifikim.

E kështu, fill pas valës së parë që pa të drejtë u quajt histeri kolektive, tani ka shpërthyer një valë e dytë, që në fakt meriton të quhet histerike. Vala e mbrojtjes së Pangos!!! Paçka se nuk e thonë plotësisht, por bëjnë sikur Pangon e dënojnë, ajo që po na dëgjojnë veshët e shohin sytë është e lemeritshme. Fajin na e paskan ato vajzat që kërkokan punë dhe, në rastin e fundit të zbuluar e realizuar nga "Fiks Fare", na e paska gazetarja. Madje, gazetarja na qenkësh përdorur si prostitutë nga "Fiksi". Për të gjithë ata që nuk dinë shumë rreth gazetarisë, paçka se i gjen ndonjëherë edhe botues, edhe në krye të institucioneve mediatike, gazetarja ka bërë veçse punën. Mund të fillojmë sot e të mbarojmë nesër me përshkrimin e emisioneve investigative nëpër botë, ku gazetarët zbulojnë dhe denoncojnë fenomenet e dënueshme e të paligjshme për shoqërinë. Gama është e gjerë. Po, po! Ka gazetare që janë veshur edhe si prostituta dhe janë sjellë si prostituta për të zbuluar prostitucionin. Ka të tjerë që janë sjellë si terroristë dhe kanë hyrë brenda grupeve terroriste, të tjerë në grupe mafiozësh, duke u hequr si mafiozë apo edhe në rrjete pedofilësh. E lista vazhdon pa fund. A mund t‘i quajmë këto të përdorur dhe t‘u vëmë etiketat e mësipërme, apo thjesht dhe vetëm kanë kryer punën në shërbim të interesit publik? Dhe të kuptohemi që në fillim: kur këto emisione kanë për target njerëzit e rrugës, të të gjitha shtresave dhe llojeve, për ata publikët as që diskutohet fare mëshira apo kujdesi. Sepse në momentin që kanë marrë përgjegjësi publike, kanë edhe llogari publike për të dhënë. Ato kufijtë që u pretendua se i shkeli "Fiksi", bota i ka kapërcyer me kohë. Madje "Fiks"-i u tregua tepër i kujdesshëm.

E dyta ide që po na serviret vjen me moton: "Të dënojmë fenomenin Pango, por të mbrojmë qytetarin Pango". Çfarë idiotësie është kjo! Mos po i bëhet ndonjë padrejtësi Pangos nga opinioni publik? Absolutisht jo, madje sa më i fuqishëm reagimi, aq më shumë dobësohet fenomeni që bart ky njeri dhe të ngjashmit. I njëjti debat u hap kur "Fiks"-i zbuloi një pedagog, që bënte të njëjtën gjë si Pango me studentet dhe kishte zëra që shpejtuan të thonë: "Po prit, se ai ka familje". Harrohet që përgjegjësia për familjet e tyre është individuale dhe kur nuk kujdesen vetë këta persona për ruajtjen e nderit dhe moralit të familjes së tyre, çfarë barre ka shoqëria të bëjë kujdes, se mos u preken ndjenjat familjarëve të këtyre monstrave! Në fund të fundit, shqetësimi më i madh duhet të jetë për ato mijëra familje të pambrojtura të këtyre vajzave, shumica e të cilave, në një realitet të varfër shqiptar, vuajnë dhe për bukën e gojës, për të çuar fëmijët nëpër shkolla, që nesër këta fëmijë të kenë një punë dhe jetë më të mirë se prindërit e tyre... Ato janë viktimat e vërteta të këtij fenomeni. Dhe për t‘ju qetësuar se nuk po bëni krim, duke demaskuar, tallur e përqeshur Pangon, mjafton të kujtoni se bota jashtë kufijve shqiptarë është ku e ku më e egër ndaj këtyre personave.

Në panoramën e rastit Pango do të sjell një rast, që në fakt nuk është shumë i ngjashëm, por ia vlen krahasimi: Eliot Spitzer, ish-guvernatori i Nju Jorkut, i cili dha dorëheqjen pasi u zbulua (përmes kredit-kartës) që shkonte me një prostitutë. As nuk përdori paratë e shtetit, as nuk i premtoi asaj vajzës vend pune në administratë, as nuk përdori zyrën e shtetit për aktet e tij private. Thjesht dhe vetëm kishte shpërdoruar besimin e publikut, duke kryer një akt të dënueshëm për shoqërinë amerikane dhe duke dëmtuar më shumë se gjithçka familjen e tij. Zemërimi mediatik dhe shoqëror ishte i jashtëzakonshëm. Askush nuk e fali, përkundrazi media për javë me radhë, çdo ditë, çdo natë, u mor me këtë histori, zbuloi kush ishte vajza. Ndërsa humoristët dhe komedianët nuk lanë fjalë dhe karikaturë pa pikturuar për Spitzer. Edhe këngë në You Tube i bënë. Po nuk u dëgjua kush të thotë: "Pushoni se ka familje" apo "Mjaft, se edhe ai njeri është".

Epo për familjen kujdeset vetë individi dhe sidomos kur shoqëria i ka dhënë votën, nderin dhe privilegjin ta ngrejë në piedestal. Megjithatë, akti i Spitzer ishte ku e ku më i lartë se i Pangos sonë arrogant. Ish-guvernatori bëri një deklaratë dyminutëshe, me një fytyrë krejt të zbehtë, u kërkoi falje publike qytetarëve dhe bashkëshortes dhe u dorëhoq, edhe pse ligji nuk ia kërkonte një gjë të tillë. Pango, nga ana tjetër, vazhdoi pacipërinë duke u munduar të na mbushte mendjen se ajo vajza kishte ardhur zhveshur, kur në fakt të gjithë, sipas një logjike normale, menduam se ky njeri nuk do ta shihte dritën e diellit shqiptar për të paktën 5 vitet e ardhshme. E pra, s‘ka mëshirë për të tillë njerëz.

Po kështu, në valën e skandaleve me karakter të tillë seksualo- politik mund të sjellim senatorin Larry Greg, i cili në një banjo aeroporti u provokua nga një mashkull që punonte për policinë. Publiku amerikan nuk dënoi atë që e provokoi senatorin, madje ky as që u mor për diskutim. Vetëm në Shqipëri dëgjon thagma të tilla që të vrasin veshët dhe të errin sytë.

Reagimi i parë shqiptar ndaj Pangos ishte një reagim masiv dhe i zemëruar, sepse ishte mllefi i grumbulluar prej kohësh i një shoqërie krejt të pafuqishme për të reaguar ngaqë nuk ka zë të reagojë. Zërin ia kanë rrëmbyer ata që janë në krye të institucioneve të shtetit, fuqinë ia kanë vjedhur deputetët rrugeçër të Parlamentit shqiptar dhe dritën ia kanë rrëmbyer botues e pronarë përfitues nga pushteti. Por në fund të ditës ka dhe "Top Channel" që është bërë zëri dhe fjala e publikut shqiptar dhe, megjithëse nuk ka inkurajimin e të atyre që përmenda më sipër -dhe s‘ka ç‘e do- ka mbështetjen e plotë të opinionit shoqëror. Me kaq, misioni i këtij institucioni mediatik është i kryer mrekullisht. Dhe mjafton të shikosh ndonjë kanal rrotull, ku në panele shkojnë e vijnë të sipërpërmendurit dhe e kupton edhe më mirë sa serioz e profesional është "Top Channel". Sa për "Fiks"-in, si pjesë e së tërës, duhet thënë që ka bërë në këto vitet e fundit aq sa nuk është bërë kurrë në 18 vjet demokraci nga qeveritë, shoqatat humanitare apo ato të të drejtave të njeriut. Dhe megjithëse duket si mision i pamundur, sjellja në binarë e një shoqërie me klasë politike (deri diku edhe mediatike) të shkarë nga duart, sërish kontributi i këtij emisioni është tejet i fuqishëm.

Është për të ardhur keq që edhe pas një rasti skandaloz si ai i Pangos, në vend të harrohej për një çast militantizmi dhe xhelozitë profesionale, ka filluar në fakt linçimi i "Fiks Fare" dhe i "Top Channel", a thua se ata janë fajtorët që qeveria shqiptare është e mbushur me perversë. Dhe më keq akoma, ka filluar mbrojtja e Pangos!!! Ky është kulmi i kulmeve. Shqipëria nuk ka shtet dhe "Top Channel" është bërë sot një derë për të trokitur. Sepse kur shteti nuk funksionon, ndodh që një media të bëhet derë e madhe për pritje nga populli. Dhe ky është vlerësimi më i madh që mund të ekzistojë. Dhe që nuk arrihet, rregullohet apo prishet me KKRT...

Buja e skandaleve shqiptare nuk zgjat më shumë se tri ditë, në një shoqëri të imunizuar nga çdo lloj gjëme, dhe kjo është fatkeqësi më vete, sepse mësimet që nxirren, janë ose të pakta, ose harrohen shpejt. Prandaj është i nevojshëm një diskreditim masiv dhe i vazhdueshëm i atij kalibri, që Pango(ve) mos t‘u shkojë më mendja të përdhunojnë besimin e publikut shqiptar. Dhe le të bëhen me hije dhe ata që u ankuan për privatësi dhe thanë "na mori lumi të gjithëve tani". Mbrojtësit e Pangos, në këtë rast, nuk kanë pse shqetësohen kaq shumë, sepse nga ç‘pamë e dëgjuam, ky zemërim masiv as që i bëri fare përshtypje Pangos. Dhe është akoma më fatkeqësi që këtij ish-pushtetari, i cili ende nuk ka kërkuar një ndjesë publike dinjitoze, kanë filluar t‘i rrihen shpatullat dhe t‘i kujtohet se qenka njeri në fund të fundit. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse bashkëpunim në krim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›