Bajden: Nuk ka plane për tërheqje trupash
Zv/presidenti amerikan, Xho Bajden (Joe Biden), i cili diskutoi të martën në Bruksel me aleatët e NATO-s situatën në Afganistan, u pyet gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, edhe për situatën në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Ai u pyet konkretisht nëse shtimi i planifikuar i trupave në Afganistan apo situata në Irak do të thoshte se amerikanët mund të largonin një pjesë të trupave të tyre nga Kosova. "Jo, unë nuk mendoj se kemi nevojë të tërheqim trupa apo ta lidhim vlerësimin tonë për Afganistanin me progresin në Kosovë apo me mungesën e tij. Së dyti, në Kosovë mbeten ende disa gjëra që duhen bërë, pasi puna nuk ka mbaruar. Së treti, para së gjithash është përgjegjësi e Bashkimit Evropian dhe e komunitetit të vendeve evropiane për të vepruar mbi bazën e angazhimeve që ne kemi marrë", tha zv/presidenti amerikan. "Gjithsesi, unë dua ta bëj të qartë se nuk do të ketë asnjë pazar mes Kosovës dhe progresit në Kosovë nga njëra anë dhe asaj që duhet të bëjmë në Irak", u shpreh Bajden.