Lamtumira e fundit/Kolegët: Dhe pse ishte i sëmurë, Trebicka vinte dy orë para në prova
Lamtumira e fundit për Roland Trebickën!
Familjarë, miq, kolegë, politikanë, artdashës dhe qytetarë nga të gjitha trevat e Shqipërisë i kanë dhënë paraditen e djeshme lamtumirën e fundit ikonës së teatrit, Roland Trebickës. Homazhet për artistin u mbajtën në Teatrin Kombëtar dhe më pas trupi i pajetë i tij u përcoll për në banesën e fundit.
Homazhet
Përpara se të largohej në banesën e fundit trishtimi u miqve, familjarëve, por edhe artdashësve u bashkua me tingujt mortorë të bandës së kryeqytetit. Në homazhet që meritoi aktori i madh, artistë e kolegë shprehën lumturinë për kujtimet që do të ruajnë nga skena, por disa edhe pikëllimin për një rol që nuk u realizua dot kurrë. “Ka vdekje të kësaj natyre që është krejt ndryshe nga të gjitha llojet e vdekjeve të tjera që kjo është mbarëkombëtare sepse ikën një njeri që nuk vjen dot kollaj, për 100 vjet mendoj”, tha regjisori, Gëzim Kame. “Është një humbje shumë e madhe, jo vetëm për të, por për teatrin, për miqtë, kolegët, për familjen. Nuk janë pak. Është një jetë e tërë që kemi punuar bashkë. Aq më e vështirë bëhet pastaj, kur e ke pasur partner në shumë role të përbashkëta. E megjithatë, skena e donte aq fortë Rolandin sa edhe në ditët e fundit ai nuk iu nda kësaj skene”, u shpreh aktorja, Elida Janushi. “Një sforcim mbinjerëzor të tij si aktor për të përballuar atë djall sëmundje që kishte, por brilant në prova, dy orë para nesh. Skuqeshim kur shkonim me vonesë, kur ai ishte aty, edhe i sëmurë”,-tha Fatos Sela, aktor. “Iku me një brengë, më la dhe mua një brengë shumë të madhe sepse që prej tri vjetësh, kam punuar me një komedi; “Koha fajtore” që zhvillohet në vitet ’80 dhe kam shkruar së pari me qëllimin që rolin kryesor ta kishte Rolandi dhe kam pritur gjatë gjithë kësaj kohe duke qenë vazhdimisht në kontakt që të shkëlqente edhe njëherë në përmasat e Jovan Bregut”,-u shpreh Ruzhdi Pulaha, dramaturg.
Politika ngushëllon familjen Trebicka
Edhe personalitet e shquara të politikes shqiptare janë shprehur për humbjen e këtij artisti, i cili për nga vlerat që ka përcjellë me punën e tij renditet ndër më të dashurit për publikun. Presidenti i Republikës Bujar Nishani është shprehur me anë të një mesazhi ngushëllimi në faqen e Presidencës ku ka pohuar se Trebicka i ka bërë një shërbim të madh vendit me artin që ka lënë pas. Kryeministri Berisha e quajti aktorin një korife të vërtetë te artit i cili do të vazhdoje të jetoje në personazhet e tij. Kreu i opozitës Edi Rama ka thënë se ai do të lërë një boshllëk të pazëvendësueshëm në skenën e teatrit shqiptar, ndërsa kryetari i LSI-së Ilir Meta e cilësoi Trebickën si një njeri me talent depërtues i cili do të mbetet i përjetshëm mes humorit në familjet tona. (Nga Marilda Kasaj)
Luiza Xhuvani: Lamtumirë mik, të qoftë i lehtë dheu!
Aktorja Luiza Xhuvani është shprehur me shumë dhimbje për humbjen e aktorit të madh Roland Trebicka. Në fjalimin që ajo mbajti, shprehu gjithë konsideratat për punën kontributin dhe shpresën e paepur për ta parë sërish në skenë. E prisja ta shihja edhe në shumë projekte të tjera, sepse ai, artisti i mrekullueshëm i skenës shqiptare, Roland Trebicka, kishte të gjithë pjekurinë artistike për ti dhënë skenës role dhe karaktere. Aktor i shkëlqyer i teatrit, me një elegancë dhe sharm skenik, zë kumbues dhe i ngrohtë, pantomimë e jashtëzakonshme, ai jepte gjithçka për të arritur dhe për të shprehur saktë dhe qartë pasionet dhe ndjenjat e personazheve. Trebicka nuk e synonte lojën aktoriale, por e harmonizonte me të gjithë aktorët, ai e fitonte duartrokitjen, pa e patur synim në vetvete. Kjo ishte forca e tij aktoriale. Ai nuk kishte kufizime. Kishte gjithçka që do të donte një artist, zërin, lëvizjen, prezencën. Dua të largohem me dinjitet nga skena. E kam mësuar nga më të vjetrit e këtij teatri se skena është e shenjtë. Ndaj dhe unë doja të bëja një largim si duhet nga skena-u shpreh ai në një nga mediat, ndoshta nga të fundit herë…..por askush nuk e mendonte largimin e tij të parakohshëm, këtë ikje pa kthim….Ti do të jesh përjetë në mendimet e mija dhe të gjithë njerëzve që adhuruan personazhet e tua, që jetuan dhe ëndërruan bashkë me ty…. Lamtumirë Mik, Artist, Njeri me zemër të madhe….të qoftë i lehtë dheu!- deklaroi aktorja Luiza Xhuvani.
Mirush Kabashi: Largimi, një humbje e madhe!
Aktori Mirush Kabashi gjatë fjalës së tij shprehu keqardhjen dhe dhimbjen për humbjen e mikut dhe kolegut të tij. Ai kishte një pasion të jashtëzakonshëm. Ai mblodhi të gjitha forcat që ti dhuronte spektatorit edhe një rol tjetër në atë dramë që i kushtohej një ngjarje të jashtëzakonshme siç është 100- vjetori i pavarësisë. Është një dhimbje e madhe, ata janë brenda nesh dhe përbëjnë një dhimbje. Jam i trishtuar ,u shpreh Kabashi .
Berisha: Bota e artit është e zymtë pa të!
Kryeministri Sali Berisha ka qenë gjithashtu i pranishëm në homazhet e zhvilluara në Teatrin Kombëtar , ku edhe ka mbajtur një deklaratë. Ditë e dhimbshme, zie e trishtimi për ndarjen nga jeta të një korifeji të vërtetë të artit tonë skenik. Roland Trebicka ishte dhe do mbetet njëri nga artistët më të dashur, më të çmuar më të fuqishëm për shqiptarët .Askush tjetër si Roland Trebicka nuk u shkri në personazhet e tij. Ai ka jetuar në këto personazhe artistike. Vullneti për jetën i dha forcë atij dhe i dominoi sëmundjes për një kohë jo të shkurtër. Ngushëlloj familjen. Bota e artit është e zymtë pa të- u shpreh kryeministri.
Nishani: Jemi krenarë për kontributin e tij!
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shprehu hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta e artistit të madh shqiptar, Roland Trebicka përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të të ndjerit.Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare,- përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.