BRUKSEL – Borrell: E mbështes heqjen e vetos për përdorimin e armëve perëndimore nga Ukraina në territorin rus

BRUKSEL, 28 maj /ATSH-ANSA/- Disa vende të BE-së, deri pak javë më parë ishin kundër lejimit të Ukrainës që të përdorte armë perëndimore për të goditur objektivat ushtarake në Rusi, por tani “kanë rënë dakord të modifikojnë këtë kufizim”, tha sot përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në fund te takimit të Këshillit të Mbrojtjes.
“Është e qartë se ky qëndrim është legjitim në bazë të së drejtës ndërkombëtare, por është një vendim individual i vendeve të BE-së, askush nuk do ta bëjë të detyrueshëm këtë vendim në nivel evropian”, tha Borrell.
Më herët, Borrell shprehu mbështetjen e tij për propozimin e paraqitur tashmë nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, për të hequr veton ndaj përdorimit të armëve nga Ukraina të furnizuara nga vendet e Aleancës Atlantike për të sulmuar Rusinë.
“Sipas ligjit të luftës, nuk ka asnjë kontradiktë të luftosh kundër atyre që të luftojnë”, tha ai.
“Rreziku i përshkallëzimit të situatës duhet të merret parasysh, por ai duhet të balancohet me nevojën e ukrainasve për t’u mbrojtur”, theksoi Borrell.
“Pra, është një situatë asimetrike, me sulmet ndaj Kievit që vijnë nga territori rus”, shtoi ai. //a.i/