HRW: Diplomati libian ka vdekur nga torturat

Human Rights Watch tha se një diplomat libian që ka shërbyer nën regjimin e Muamer Gadafit ka vdekur si pasojë e torturave pas arrestimit të tij nga trupat që luftuan Gadafin.
Grupi për të drejtat e njeriut tha se Omar Brebesh, 62 vjeç i cili ka shërbyer si ambasador i Gadafit në Francë, ka vdekur më pak se 24 orë pasi u arrestua në Tripoli më 19 janar.
Thuhet se ai u ndalua nga milicia e qytetit perëndimor të Libisë, Zintanit.
Human Rights Watch tha se ka “lexuar një raport të policisë gjyqësore në Tripoli, në të cilin thuhet se Brebesh ka vdekur nga torturat dhe se një i dyshuar që nuk i është përmendur emri, ka pranuar se e ka vrarë atë”.
Vdekja është e fundit në serinë e raporteve për abuzime nga ana e ish kryengritësve që rrëzuan Gadafin në vitin e kaluar.