HRW: Shqipëria, Kosova dhe Serbia të zbardhin fatin e personave të humbur
“Deklarata serioze dhe të besueshme mbi abuzime të tmerrshme në Kosovë dhe Shqipëri në periudhën mbas lufte kanë dale në dritë”, - u shpreh Fred Abrahams, hulumtues me përvojë i emergjencave pranë Human Rights Watch, i cili ka hetuar mbi shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe Shqipëri nga periudha 1993-2000. “Prishtina dhe Tirana mund të tregojnë angazhimin e tyre ndaj drejtësisë dhe shtetit ligjor duke ndërmarrë hetimet e duhura”, - tha ai.
Human Rights Watch thotë se ka marrë informacione dhe prova të pavarura që mbështesin dhe vërtetojnë mjaft nga përshkrimet që bën ish-kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte, në librin e saj me titull “Gjuetia: kriminelët e luftës dhe unë”. Më 4 prill, Human Rights Watch i ka dërguar letër kryeministrit Berisha, ku bën thirrje të hetojnë këto deklarata, por deri më 2 maj nuk ka patur asnjë përgjigje.
Përkundrazi, zyrtarë të lartë të të dy vendeve, thotë më tej Human Rights Watch, kanë hedhur poshtë publikisht akuzat si të “pabaza” dhe “fyese”.
Letra drejtuar kryeministrit Berisha
I nderuar kryeministër Berisha!
Siç e dini, Human Rights Watch ka dokumentuar gjatë mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare ndërkombëtare në Ballkan. Për pothuajse dy dekada ne kemi qenë aktivë në Kroaci, Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni, në hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut të kryera nga palët e ndryshme dhe kemi publikuar disa raporte duke detajuar shkeljet. Në mënyrë të përsëritur, ne kemi bërë thirrje për ndalimin e shkeljeve, apo në rastet kur ka pasur akuza te besueshme, por për momentin të pavërtetuara, për ngritjen e hetimeve dhe ndjekjen penale të individëve përgjegjës. Në këtë moment po ju shkruaj për t’iu nxitur në kryerjen e një hetimi të plotë mbi akuzat e shfaqura kohët e fundit në hapësirën publike, për krime të rënda të kryera gjatë 1999-ës.
Javët e fundit në media dolën disa pjesë nga libri i ri i Carla Del Pontes, ish-kryeprokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY). Së shpejti, ky libër do të publikohet në italisht dhe më pas në anglisht.
Ndërmjet të tjerave zonja Del Ponte paraqet informacione mbi krime të rënda, të cilat mendohet të jenë kryer në Kosovë dhe Shqipëri mbas 12 qershorit të 1999-ës, kur forcat e NATO-s ndërhynë në provincë. Ne kemi zotëruar një kopje të teksit të Del Pontes para publikimit dhe duke u bazuar në leximin e kujdesshëm të informacionit që ajo paraqet si dhe informacioneve të marra nga Human Rights Watch përpara librit të Del Pontes, ne i konsiderojmë evidencat rrethanore që ajo paraqet mjaft të rënda dhe që kërkojnë hetime të mëtejshme. Për këtë arsye ju nxisim të filloni një hetim të plotë në bashkëpunim me homologët kosovarë, me qëllim që të vendoset mbi vërtetësinë e akuzave të Del Pontes dhe të garantohet që cilido qoftë fajtor për këto krime të mbajë përgjegjësi në gjykatën penale. Për më tepër, një hetim i tillë mund të ndihmonte për të hedhur dritë mbi fatin e 100 deri në 300 personave, shumica e të cilëve i përkasin etnisë serbe dhe janë zhdukur mbas qershorit të 1999-ës.
Sipas Del Pontes, tribunali ka marrë informacione nga burime të besueshme që shqiptarët e Kosovës kanë transportuar me kamion nga Kosova në veri të Shqipërisë 100 deri në 300 persona mbas 12 qershorit të 1999-ës. Sipas njoftimeve, pas kësaj individët janë mbajtur në depo dhe ndërtesa të tjera, duke përfshirë këtu edhe ndërtesa në Kukës e Tropojë. Me sa duket, disa nga të burgosurit e rinj dhe të shëndetshëm janë ushqyer, ekzaminuar nga doktorët dhe nuk janë rrahur në asnjë moment. Sipas informacionit që i është dhënë Del Pontes, këta individë të rrëmbyer më vonë janë transferuar në një ndërtesë në Burrel apo aty pranë, ku doktorët iu kanë hequr të burgosurve organet e brendshme. Më pas këto organe janë transportuar jashtë Shqipërisë nëpërmjet aeroportit të Rinasit në afërsi të Tiranës, tani i quajtur aeroporti “Nënë Tereza”.
Sipas informacionit që i është dhënë Del Pontes, shumica e viktimave ishin serbë, të cilët ishin zhdukur mbas arritjes së forcave të Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s në Kosovë. Të burgosurit e tjerë ishin gra nga Kosova, Shqipëria, Rusia dhe vende të tjera sllave. Sipas informatave të marra nga ICTY-ja, trupat e viktimave mund të jenë varrosur pranë një shtëpie të verdhë asokohe dhe në afërsi të një varreze rreth 20 kilometra në jug të Burrelit. Hetuesit e Tribunalit inspektuan shtëpinë të cilën ata mendonin se ishte e duhura dhe gjetën pajisje mjekësore të përdorura në ndërhyrje kirurgjikale si edhe shenja gjaku, megjithatë ata nuk ishin të aftë të caktonin nëse gjaku ishte njerëzor.
Del Ponte përmend burimet që raportuan ICTY-në, se operacioni kontrabandë ka ndodhur me diturinë e anëtarëve të nivelit të mesëm dhe të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mendohet që për këtë të jetë kërkuar edhe bashkëpunimi me shërbimin sekret shqiptar, Shërbimi Informativ Kombëtar (SHIK-u).
Human Rights Watch nuk ka kryer hetime mbi këto akuza. Por. ne jemi të vetëdijshëm për numrin e lartë të personave të zhdukur mbas 12 qershorit të 1999-ës, ku 2.047 raste mbeten akoma të pasqaruara. Pasi rishikuam informacionet e Del Pontes dhe evidencat rrethanore që ajo paraqet, ne i konsiderojmë të parezistueshme dhe besojmë që hetime të mëtejshme janë vendimtare.
Ndërtimi i shteteve të bazuara mbi sundimin e ligjit kërkon vlerësimin e ndershëm të së shkuarës, duke përfshirë përgjegjësinë penale për personat që kanë kryer krime. Ne besojmë që informacionet e shfaqura në librin e Del Pontes meritojnë një hetim të menjëhershëm dhe të pavarur mbi këto akte kriminale të supozuara dhe në vazhdim ndjekjen penale të çdokujt që gjendet fajtor në shkeljen e ligjit. Për të ndihmuar në identifikimin e dëshmitarëve, i një rëndësie të veçantë do të ishte gjithashtu bashkëpunimi me Dhomën e Krimeve të Luftës në Beograd, e cila nga ana e saj ka filluar tashmë hetimet rreth kësaj çështjeje.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe pres me kënaqësi përgjigjen tuaj brenda një afati të arsyeshëm kohor mbi hapat që planifikoni të ndërmerrni në zbulim të fakteve të mëtejshme që lidhen me këto ngjarje të pretenduara dhe nëse sigurohen evidencat, të ndiqen penalisht individët që dyshohen të kenë marrë pjesë në ngjarje.
Sinqerisht,
Holly Cartner
Drejtoreshë Ekzekutive
Europa dhe Azia Qendrore
Tirana e Prishtina hedhin poshtë akuzat
Tirana dhe Prishtina kanë hedhur poshtë akuzat e përsëritura nga organizata Human Rights Watch për rrëmbime të serbëve në Kosovë dhe transferimin e tyre në Shqipëri.
Duke folur për BBC-në kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi thanë se të dy vendet kanë bashkëpunuar me hetimet ndërkombëtare lidhur me këto spekulime
Kryeministri i Shqipërisë Berisha tha në një intervistë për BBC-në gjatë një vizite në Bruksel se lidhur me këtë çështje janë bërë tashmë hetime të gjera dhe nuk është gjetur asnjë provë për t'i mbështetur ato.
"Gjatë konfliktit Shqipëria bashkëpunoi shumë ngushtë me vendet e NATO-s dhe ka mbledhur fakte për Gjykatën ndërkombëtare të krimeve të luftës duke e ndihmuar këtë gjykatë dhe të gjitha hetimet," tha zoti Berisha.
"E di që ka pasur akuza për varre të përbashkëta serbe diku në Shqipëri, u bë një hetim shumë i thellë ndërkombëtar e kombëtar dhe provoi se ato ishin të rreme dhe nuk u gjet asnjë provë," tha ai.
Ndërsa autoritetet në Prishtinë i kanë cilësuar si spekulime akuzat e ngritura nga zonja Del Ponte dhe kanë vlerësuar se ato mund të jenë bërë për qëllime politike.
Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuqi tha për BBC-në se qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës, e cila nuk ka mundur të verifikojë dyshimet.
"Ajo (del Ponte) ka kaluar në nivel të spekulimeve dhe shpifjeve dhe prapavija e saj nuk është që të vërtetohet ndonjë dyshim, por më shumë që të dëmtohet imazhi i dikujt," tha zoti Kuqi.
"Qeveria e Kosovës konsideron se UCK-ja ka bërë luftë të drejtë, luftë mbrojtëse dhe luftë çlirimtare, çka është vërtetuar edhe në rastet e ngritura në aktakuza në nivelin ndërkombëtar nga Gjykata e Ndërkombëtare për Krime të Luftës në Hagë," tha zoti Kuqi në një intervistë për BBC-në.