E Diel, 1 Nëntor 2026

Paradoksi i hetimit të Fatmir Mediut

Përgjegjësi kryesor i tragjedisë së Gëredecit, ish- Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, po përpiqet të fusë në qorrsokak procedurën e hetimeve duke i imponuar Kuvendit shtyrjen e heqjes së imunitetit dhe duke u përpjekur ta mbushë boshllëkun deri në ditën që do të shkojë në prokurori me gënjeshtra të trasha që për shkak të mendjelehtësisë së tij i bën dhe publike. Dje, ndërkohë që prokuroria po ankohej se Kuvendi nuk i ka bërë kërkesë shtesë dhe se ajo është e gatshme të thërrasë menjëherë Mediun në hetime, i akuzuari doli sërish publikisht para gazetarëve, duke thënë si gjithmonë gjëra pa kuptim as për atë vetë. Ndër gjërat më emblematike që tha ishtë ajo se nuk ka kontaktuar me SAC, kompaninë amerikane partnere të Delijorgjit që iu dha pika e demontimit në Gërdec, ndërkohë që tek emisioni Opinion Plus, tregoi po me kaq mendjelehtësi se ai ishte munduar katër muaj rresht deri sa e kishte rregulluar që atë punë ta bënte SAC. Ai pranoi publikisht se kishte çuar një projekt vendim në qeveri në muajin shkurt, e cila e konsideronte qeverinë si komision vlerësimi tenderash dhe i jepte SAC me prokurim të drejpërdrejtë gjithë procedurën e demontimit. Pasi iu kthye kjo VKM siç shpjegoi vet, ai dhe të tjerë rrotull kryeministrit organizuan një lobing të fortë tek Ministria e Drejtësisë dhe Financave për të rregulluar një VKM normative, e cila i hapte udhë projektit që iu bllokua nga prokurimi i drejtpërdrejtë. Në fund, pasi përdori pushtetin e tij në ministri të Mbrojtjes, me shpejtësi dhe pa respektuar procedurat, ai ia dha SAC atë që ajo kishte kërkuar. Të gjitha këto i ka pranuar vetë publikisht dhe po dje ka mohuar po publikisht që ka pasë kontakte me SAC.

Ndërkohë, vetë Mediu, përfaqësuesi i SAC dhe një person i tretë afër kryeministrit takoheshin rregullisht në hotel Sheraton gjatë kohës që përgatiteshin këto dosje dhe nuk kanë bërë kujdes të fshiheshin. Por pavarësisht kësaj, paradoksi qëndron në faktin se çdo detaj për këto hetime i duhet dhënë prokurorëve dhe jo opinionit publik që nuk mund të bëjë apriori klasifikimin e fajtorëve nga çerek të vërtetat që thotë Fatmir Mediu dhe të tjerë të përfshirë në këtë skandal që ka marrë 26 jetë njerëzish. Dhe paradoksi ka të bëjë me faktin se prokuroria po e kërkon me ngulm Fatmir Mediun të dëshmojë, kurse ai po bllokon me procedurë parlamentare shkuarjen në prokurori dhe del publikisht e bën komente rreth akuzës. Ka vetëm një vend ku sqarohet akuza dhe ajo është banka e të akuzuarve. Fatmir Mediu duhet të shkojë dhe të flasë atje. Çdo fakt që ka, çdo kërcënim që do të bëjë, çdo nëntekst që ka për kryeministrin Berisha apo Forcat e Armatosura ai duhet t’ia thojë prokurorisë dhe jo opinionit publik. Opinioni publik ka parë flakën e Gërdecit, 26 të vrarë, 300 të plagosur dhe 2 mijë shtëpi të prishura. Kosto më të madhe ky vend nuk i ka paguar kurrë mafias dhe jo më një ministri mendjelehtë. Çdo llomotitije për t’i dëshmuar opinionit publik se kjo masakër nuk ka të bëjë me ministrin e Mbrojtjes vetëm sa ja ngre nervat çdo qytetari.

Fatmir Mediu është i thirrur nga organi i akuzës të shkojë e të flasë në bankën e të akuzuarve, ndërsa ai po bllokon politikisht shkuarjen aty, dhe po flet publikisht, përçart siç di të flasë ai. Kjo praktikë duhet të marrë fund. Duke dashur të krijojë idenë se po bëhet kokë turku, ai dje la plot nëntekste dhe për përgjegjësinë e kryeministrit dhe të ushtarakëve. Në të vërtetë në këtë histori nuk ka asgjë të paqartë. Është shumë e qartë se projekti i Gërdecit është projekt qeveritar dhe kryezbatuesi i saj ishte Fatmir Mediu. Kryeministri Berisha ia ka hapur rrugë çdo dëshire të tij për t’ia dhënë këtë biznes partnerëve të Mihal Delijorgjit dhe ia ka arritur. E vetmja VKM që ktheu Berisha, dhe që ka të bëjë me prokurimin direkt të këtij biznesi për SAC nuk është se shfajëson ndokënd, përkundrazi dëshmon se dijenia ishte shumë e fortë, aq e fortë sa ishte analizuar dhe pasoja e saj dhe ishte kthyer mbrapsht VKM. Pra Fatmir Mediu nuk na çudit dot as kur thotë që dhe Berisha e dinte, as që dhe ushtarakët e dinin. Ai mund të na çudiste po të dilte e të kërkonte falje se në përpjekje për të përfituar nga lidhje me elementë mafiozë vrau 26 vetë dhe solli një katastrofë të vërtetë njerëzore. Ai nuk e bën atë dhe ne nuk kemi ç’dëgjojmë tjetër prej tij. Çfarë ka për të thënë ta thojë në zyrat e prokurorisë, atje dhe ku duhet të formulohet akuza e plotë zyrtare për të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›