Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin e gjobave, cenon parimet e së drejtës
Grupime dhe shoqata të ndryshme të bzinesit i kanë denoncuar publikisht ndryshimet në procedurat tatimore si shkelje të parimeve themelore të së drejtës. Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila përfaqëson interesat e një numri të konsiderueshëm kompanish vendase e të huaja, denoncoi para pak ditësh publikisht ndryshimet në procedurat tatimore që qeveria ka dërguar në Kuvend për miratim si antikushtetuese. “Ne e vlerësojmë antikushtetues nenin 101 të këtij projektligji, i cili i lejon organet tatimore të thërrasin me detyrim çdo person, të detyrohet për t'u paraqitur, të detyrohet për të dëshmuar, aq më tepër të detyrohet për të bërë ekspertizë, etj., në zyrat e organeve tatimore. Për më tepër, ky ligj lejon të thirren për të dëshmuar mbi të dhënat e një tatimpaguesi persona të cilët nuk kanë autorizimin e shoqërisë”, - u shpreh publikisht Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila kishte tentuar më kot të negocionte jopublikisht me qeverinë, me mendimin se do të gjenin logjikë. “Pavarësisht nga angazhimi konstant dhe prezantimi i komenteve dhe sugjerimeve në të gjitha tryezat ku ajo është ftuar, Dhoma Amerikane e Tregtisë shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e reflektimit të argumenteve të dhëna në draftet e projektligjit”, - deklaruan zyrtarë të dhomës në një konferencë për shtyp të disa ditëve më parë.
Biznesi i konsideron ndryshimet ligjore të propozuara, si “cenimin real apo potencial të disa parimeve dhe institucioneve themelore të së drejtës së pronës dhe të njeriut në përgjithësi, si dhe në dëm të lirisë së tregut, me trajtimin e aktivitetit privat sikur të ishte publik.” Kjo është deklarata më e ashpër e bërë ndonjëherë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila zakonisht përdor gjuhë shumë diplomatike, ku edhe më herët ka qenë në gjendje të negociojë me qeverinë pa patur nevojë t’i shpallë luftë. Qeveria shqiptare e miratoi këtë ligj muaj më parë dhe e ktheu këtë në një çështje vendimtare sipas saj për formalizimin e ekonomisë. Kundër ligjit të procedurave tatimore u shpreh qartë në komisionin parlamanetar të Ekonomisë edhe USAID-i, pak ditë më parë.