E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi i PDK, Bushati: Sot, Ndoka ikën nga posti i kryetarit

Kongresi i paralajmëruar nga Partia Demokristiane do të zhvillohet ditën e sotme, nga ku pritet të shkarkohet kryetari aktual i kësaj partie, Nard Ndoka. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Zef Bushati, tha dje për gazetën “TemA”, se shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, 76 prej tyre nga 101 gjithsej kanë firmosur që kongresi të mbahet më datë 6 maj dhe jo më tetë maj, siç ka lajmëruar dje PDK me anë të një deklarate për shtyp. Sipas Bushatit, Ndoka nuk mund të vendosë datën e kongresit, me pakicën e emrave që ka pas vetes, pasi në bazë të statutit, të drejtën për të thirrur kongresin e ka Këshilli Kombëtar, ku shumica prej tyre kanë votuar këtë datë. Megjithëse ditën e sotme vetë kryetari Ndoka pritet të mos marrë pjesë në punimet e këtij kongresi, ajo çka pritet të ndodhë është pikërisht shkarkimi tij nga posti i kryetarit. “Natyrisht që qëllimi kryesor i kongresit është evidentimi i problemeve të ardhura, abuzimet që po kryhen në emër të PDK, si dhe shkarkimi i tij nga ky funksion. Ne e kemi thënë dhe më parë që Nard Ndoka nuk përfaqëson më demokristianët e vërtetë dhe shkarkimi i tij ka ardhur si nevojë imediate. Gjithsesi, ky mbetet ende në rang propozimi, pasi do jetë vetë kongresi ai që do e vendosë”, - tha Bushati. Sipas tij, në kongresin e sotëm të PDK pritet të marrin pjesë 2/3 e delegatëve, numër ky i mjaftueshëm për të marrë vendimet në kongresin e partisë.

Por, nga ana tjetër, shkarkimi i Ndokës nga posti i kryetarit të partisë pritet të shoqërohet nga ana e demokristianëvce dhe me shkarkim nga posti i ministrit të Shëndetësisë, që mban aktualisht. Kanë qenë vetë anëtarët e kësaj partie ata që e kanë akuzuar Ndokën për abuzime me detyrën dhe mospërfaqësim të demokristianëve të vërtetë në qeverisje. Arrestimet e disa zyrtarëve të lartë, të tërhequr nga PDR, kur Ndoka mori partinë, u komentuan asokohe si abuzim me siglën e PDK nga ish-kryetari, Nikollë Lesi, që i cilësoi këto emërime të bëra me qëllim korruptiv nga ana e vetë kryetarit të PDK, Nard Ndoka. Kjo deklaratë do të sillte jo vetëm shkarkimin e Lesit nga kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, por edhe përjashtimin nga PDK.

Ndërkohë, burime nga PDK shprehen se, edhe nëse Ndoka nuk e pranon shkarkimin e bërë në kongresin e PDK, atëherë çështja do të shkojë në gjykatë së bashku me dokumentwt që do i bashkangjiten. Në të dyja rastet, si në rast se e pranon shkarkimin, ashtu dhe në rast se nuk e pranon, sërish i duhet të lerë së paku postin e kryetarit, pasi nuk mund ta ushtrojë këtë funksion deri në marrjen e një vendimi nga gjykata. Bashkangjitur me shkarkimin nga ky post, Berishës do i kërkohet që të shkarkojë Ndokën nga posti që mban aktualisht ose, nëse nuk e shkarkon, ai të mos përfaqësojë në Ministrinë e Shëndetësisë PDK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›