E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, së shpejti hapet zyra konsullore belge

 

Lajmi u konfirmua në takimin e Berishës me Kryeministrin belg

TIRANË- Së shpejti, qytetarët që kërkojnë të marrin viza për të udhëtuar në Bruksel, nuk do të paraqiten më pranë Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë. Kjo sepse, së afërmi, në Tiranë do të hapet zyra konsullore e Mbretërisë Belge, tek e cila çdo qytetar i interesuar mund të paraqitet për marrjen e një vize. Lajmi për hapjen së shpejti të konsullatës, u bë i ditur dje në konferencën për shtyp të zhvilluar në Bruksel mes kryeministrit Berisha dhe kryeministri belg, Ives Leterne. "Kryeministri belg, bëri të ditur vendimin e marrë nga qeveria belge për hapjen së shpejti në Shqipëri të zyrës konsullore përfaqësuese të Mbretërisë Belge, që do të përbëjë një hap shumë të rëndësishëm në procesin e lehtësimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ndër të tjera, u shpreh zoti Leterne, qeveria belge ka si qëllim, uljen e tarifave për marrjen e vizave nga qytetarët shqiptarë",- thuhet në sitin zyrtar të Këshillit të Ministrave. Deklaratën e Kryeministrit belg e ka përshëndetur edhe kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar këtë si një lajm pozitiv për qytetarët shqiptarë dhe një lehtësim për të gjithë ata që kërkojnë të marrin vizë për në Belgjikë. Kryeministri Berisha njoftoi gjithashtu se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap, me qëllim që të shkohet drejt liberalizimit të plotë të vizave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›