"HS Produkt" dhe "Klik Ekspo Group" prezantojnë risitë në fushën e armatimeve
Kërkesat e mëdha për modernizim të Forcave të Armatosura, lindur menjëherë pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO kanë tërhequr vëmendjen e shumë kompanive që prodhojnë armë dhe pajisje të tjera ushtarake. Prodhuesi dhe furnizuesi kryesor me pistoleta dhe pushkë i Forcave të Armatosura dhe Policisë Kroate ka ardhur në Tiranë, ku ka prezantuar gamën e produkteve. Në regjimentin e Forcave Komando, një prej reparteve elitë i Forcave të Armatosura në Shqipëri, janë kryer dhe testime, prova dhe njohje me armët e kompanisë "HS Produkt". Në një organizim të përkryer nga "Klik Ekspo Group", përfaqësues të Forcave të Armatosura, policisë, forcave RENEA, policisë bashkiake dhe njësive të tjera të armatosura kanë njohur nga afër armët më të fundit të "HS Produkt". Në ambientet e Regjimentit Komando, ku fillimisht u krye një prezantim në format elektronik, e më pas për dhjetëra minuta u kryen testime të armëve, ishin të pranishëm dhe ambasadori i Republikës Kroate, komandanti i përgjithshëm i Forcave Detare, Kristaq Gerveni, si dhe drejtues të repartit RENEA, Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake të Tiranës. Gjatë prezantimit të pistoletës HS-9, dhe pushkës VHS-NATO, e modeleve të tjera të modifikuara të këtyre armëve drejtues të kompanisë kroate thanë se këto janë armët lider në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kroaci dhe vende të tjera. Po gjatë prezantimit dhe testimeve të kryera në Poligonin e Zall Herrit, nga dhjetëra të pranishëm u pranua cilësia më se e pëlqyeshme e armëve, prakticiteti dhe mbi të gjitha nevoja që ushtari shqiptar të jetë modern. Vetë komandanti i Regjimentit Komando, Dritan Demiraj, tha se tanimë ushtria shqiptare ka hyrë në rrugën e mbarë të modernizimit. Prej muajsh, disa reparte kanë kryer dhe po kryejnë reformat e nevojshme dhe shumë shpejt të gjitha repartet e Forcave të Armatosura do të renditen të barabarta përkrah ushtrive të vendeve të tjera. Vlerësime maksimale për "Klik Ekspo Group", si organizator i aktiviteteve ku shfaqen dhe testohen armë, ka bërë dhe Kristaq Gerveni, zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm.
Kërkesat e tregut
Nga një ushtri dhe polici tërësisht e izoluar me tregjet e armëve, pajisjeve dhe makinerive ushtarake, tanimë Forcat e Armatosura duhet t‘u përshtaten standardeve të NATO-s. Kështu, ka nisur krijimi i kontakteve, takimet dhe njohjet me produktet e shumë kompanive të huaja, kryesisht private. Zeljko Pavlin, drejtori i përgjithshëm i "HS Produkt", shprehet se blerja e të gjitha pajisjeve të një ushtari është e pashmangshme, çka dhe e ka bërë tregun shqiptar tërheqës. "Shqipëria ka nevojë për produkte dhe mjete moderne. Ne mendojmë se Forcat e Armatosura dhe ato të policisë, dhe të tjera kanë nevojë për produktet tona. Në ambientet e Regjimentit Komado do të demonstrojmë përdorimin e disa prej produkteve tona, që janë dhe kryesoret që ne prodhojmë. Do të demonstrojmë teknikisht dhe do të kryejmë qitje me disa lloj pistoletash dhe pushkësh, apo automatikë siç i njihni ju. "HS Produkt" ka mbi 17 vjet që është themeluar. U krijua si kompani në Kroaci, menjëherë pas zgjedhjeve të para demokratike në vendin tonë. Kompania, që prej atëherë ka qenë një ndër furnizuesit kryesorë të policisë kroate dhe Forcave të Armatosura. Në 17 vjet ne jemi zhvilluar shumë si kompani, dhe tanimë jemi furnizuesi kryesor i Forcave të Armatosura në Kroaci, si dhe Policisë. Për sa i përket tregut privat, ju them që ne kemi shitje prej mbi 1 milionë pistoleta në vit në Shtetet e Bashkuara", tha Zeljko Pavlin, drejtori i përgjithshëm i "HS Produkt". Që prej vitit 2000, armët e "HS Produkt" janë më të përdorurat nga shumë reparte speciale dhe të Forcave të Armatosura në SHBA. Po kështu, kontrata të rregullta prej vitesh kanë bërë që departamentet e policisë të shumë shteteve në kontinentin amerikan të përdorim si armë kryesore ato të "HS Produkt". "Po ju them qe ne jemi pistoleta më e mirë në Shtetet e Bashkuara. E kemi fituar këtë vlerësim në vitin 2003, në 2006 dhe tani, në vitin 2009. Besoj që kemi produkte që do të kënaqin të gjitha Forcat e Armatosura dhe ato të Policisë. Modeli HS-9, që është modeli bazë është më i shituri dhe më i suksesshmi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si për tregun ushtarak, ashtu dhe për privatët. Jemi e vetmja pistoletë në botë që kemi treg për të gjithë klientët. HS-9 përdoret kollaj dhe nga femrat, apo nga personat që kanë duar të vogla. Këmbëza e veçantë e HS-9 lejon qitje më të madhe, dhe më të mirë krahasuar me konkurrentët tanë. Po kështu, thjeshtësia në përdorim, shënjestra dhe mënyra e të qëlluarit janë pikat tona të forta. Një çelës i suksesit tonë është përbërja e materialit me të cilin ndërtojmë pistoletat dhe armët e tjera. Te HS-9 kemi përbërje polimeri dhe metali, çka sjell precizion të njëjtë të pistoletës dhe pas 20 mijë të shtënash. Arma nuk nxehet, nuk bymehet, apo humbet cilësinë e saj në të shtënë. Pistoletat tona kanë tri sisteme direkte sigurie te këmbëza, te doreza dhe te bllokuesi. Po kështu, kanë dhe dy sisteme të tjera sigurie, që mund të quhen si pajisje shtesë. Si rezultat i këtyre, ju garantojmë me 100 për qind që armët tona nuk kryejnë shkrepje aksidentale".
Forcat Komando
Vetë pjesëtarët dhe drejtuesit e Forcave Komando thonë se nevoja për modernizim është urgjente për Forcat e Armatosura. Komandanti i këtij regjimenti thotë se shumë punë ka për të bërë dhe se lidhjet me kompani, tregje, prodhues dhe shitës të armëve e pajisjeve ushtarake janë më se të nevojshme. Dritan Demiraj, thotë për mediat se: "Angazhimi i Forcave tona të Armatosura dhe ushtrisë përkrah forcave dhe vendeve të NATO-s kërkon si nevojë modernizimin e ushtarit tonë, e njësive shqiptare të ushtrisë. Ne po si regjiment, por dhe të gjitha Forcat e Armatosura po punojnë shumë për t‘u reformuar, dhe për të renditur sa më parë përkrah ushtrive të vendeve të NATO-s. Prej muajsh ne punojmë, si në modernizim e armëve, pajisjeve dhe mjeteve ushtarake, ashtu dhe në reformimin e sjelljes, reagimit dhe gjithë veprimeve që duhet të kryejnë Forcat e Armatosura. Ne, edhe pse në pak kohë, po ecim mirë në arritjen e standardeve".
Ura lidhëse
Pasi kanë kontaktuar me kompani të ndryshme brenda e jashtë Shqipërisë, kanë testuar tregun, si dhe janë njohur me gjendjen aktuale të Forcave të Armatosura, drejtues të "Klik Ekspo Group" duke u bazuar dhe në eksperiencat e tyre të suksesshme vendosën të bëhen ura lidhëse mes blerësve dhe shitësve në tregun e ri në Shqipëri, atë të armëve e pajisjeve ushtarake. Hapi i parë në këtë fushë pritet të konkretizohet në tetorin e vitit 2010, kur dhe do të lancohet "Albanian Military Exhibition", ose Panairi i Parë Ndërkombëtar i Mbrojtjes dhe Sigurisë, gjithmonë organizuar nga "Klik Ekspo Group". Duke iu përshtatur nevojave të forcave Komando, atyre Speciale, Forcave të Armatosura dhe atyre Detare drejtues të "Klik Ekspo Group" thonë se do të përgatisin terrenin e përshtatshëm për dukuritë e reja ekonomike e biznesore në vend. Së pari, Forcat e Armatosura duhet të reformohen thellësisht, pasi misioni i tyre tanimë me anëtarësimin e NATO-s nuk është ai me të cilin kanë vepruar gjithë këto vjet. Kjo sjell nevojën e njohjes dhe përshtatjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s. Nga ana tjetër, duke nuhatur këtë treg tërësisht të ri, dhjetëra biznese që operojnë në këtë sektor kanë nevojë që të prezantojnë produktet e tyre. Për të lidhur bashkë këto dy aktorë në tregun që u hap, kompania "Klik Ekspo Group" do të kthejë në traditë dhe ngulisë në tregun shqiptar ALMEX, Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë. "Albanian Military Exhibition" do të tregojë bukurinë dhe potencialet e tij gati një vit përpara konkretizimit të stendave në panair. Aktiviteti i Zall Herrit është i dyti i këtij lloji brenda pak javësh, që organizohet nga "Klik Ekspo Group". Tanimë, është plotësuar dhe kuadri ligjor që ka hequr monopolin e import-eksportit të armëve dhe pajisjeve luftarake. Me krijimin e Autoritetit Kontrollues Shtetëror të Eksporteve, do të mbikëqyret dhe tregu i krijuar rishtas në Shqipëri.