Mbërrin vaksina, nis shpërndarja
Ministria e Shëndetësisë konfirmon mbërritjen e 10 mijë dozave të para të vaksinës. Ato janë pjesë e një kontingjenti prej 250 mijë vaksinash dhe aktualisht ndodhen në proces zhdoganimi pranë Doganës së Hanit të Hotit dhe Tiranës. Me një urdhër të posaçëm të ministrit të Shëndetësisë, bazuar dhe në rekomandimet e OBSH-së, ky kontingjent vaksinash do të përdoret për imunizimin e grupeve në risk, që janë personeli shëndetësor, fëmijët dhe prindërit e fëmijëve deri në moshën 5-vjeçare, personat që vuajnë nga sëmundjet kronike. "Ka një plan dërgese nga firma farmaceutike hungareze, ku janë vaksinat. Javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera, kjo për shkak të mundësisë prodhuese të kompanisë dhe procedurave të transportit", konfirmon drejtori i përgjithshëm i politikave spitalore Pëllumb Pipero.
Vaksina vjen nga Hungaria dhe deri tani është aplikuar në shumë vende dhe nuk ka asnjë raport që ky kontingjent prodhimi të ketë dhënë efekte anësore në vendet respektive.