Projektligji për buxhetin miratohet në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës

PRISHTINË, 16 shkurt/ATSH/ Me 66 vota për, 32 kundër dhe pesë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2026.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit për votimin e buxhetit”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Arbërie Nagavci, shefe e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që shqyrtimi i dytë i projektligjit për buxhetin të bëhet më 20 shkurt, në orën 11:00.
Ky propozim u miratua me 67 vota të deputetëve.
Kryetarja Haxhiu, kërkoi nga komisionet funksionale për buxhet, si dhe nga komisionet tjera parlamentare, sipas fushave që mbulojnë, që ta shqyrtojnë projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2026, si dhe t’ia paraqesin Kuvendit raportet me rekomandimet.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe atyre në opozitë, i kanë thënë zëshëm dallimet në qëndrime lidhur me projejtligjin për buxhetin e shtetit, të dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e re e Kosovës.
Seanca e së hënës ishte vazhdimësi e seancës së jashtëzakonshme të 13 shkurtit, e cila në rend ditë kishte edhe buxhetin.
Atë ditë, partitë i miratuan marrëveshjet ndërkombëtare, por jo edhe buxhetin.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu pranoi të premten që seanca të shtyhej, pasi partitë opozitare kërkuan më shumë kohë për ta lexuar dokumentin dhe kërkuan që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të ishte i pranishëm për diskutime.
Kurti iu përgjigj ftesës dhe mori pjesë në diskutimet e së hënës.
Projektligji parasheh që buxheti i përgjithshëm i shtetit për vitin 2026 të jetë rreth 4 miliardë euro.
Ministri i Financave i Qeverisë së Kosovës, Hekuran Murati tha se miratimi i këtij projektligji është nevojë emergjente.
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se kjo parti mbështet projektligjin.
Mbështetje dha edhe grupi parlamentar multietnik, i cili përbëhet nga deputetë të komuniteteve joserbe.
Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosvës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk ishin në të njëjtën linjë.
Me projektligjin për buxhetin nuk u pajtua as Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha deputetëve të Kuvendit se rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet pa prezantuar planin e programit të Qeverisë.
Duke iu përgjigjur kritikave të deputetëve të partive opozitare, Kurti u tha atyre se duhet të pranohet se “nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tani kemi progres stabil”.
“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim njëherë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit”, tha Kurti.
Deputetët e kanë miratuar javën e kaluar propozimin e Qeverisë për zgjatjen buxhetore për muajin mars nga buxheti i vitit të kaluar.
Kjo zgjatje ka qenë e domosdoshme që të mos ketë ndërprerje në pagat e punëtore të sektorit publik dhe pagesave të tjera.
Qeveria e re, në krye me kryeministrin Albin Kurtin, i ka fituar votat e nevojshme më 11 shkurt, pas konstitutimit të Kuvendit të Kosovës.
Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ka fituar mbi 51 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvend. /rel/