E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRT e Tiranës miraton lejet për 12 sheshe ndërtimi

 

Plot 12 objekte publike dhe 12 kërkesa për sheshe dhe leje ndërtimi. Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës dha dje Ok për vënien në zbatim të këtyre projekteve. Mbledhja ishte parashikuar të niste në orën 09:00 të mëngjesit, por anëtarët u futën të gjithë në sallë vetëm në mesditë. Shkak për këtë u bë kërkesa e të djathtëve sipas së cilëve, përpara se të diskutoheshin pikat e tjera duhej futur në rend dite plani rregullues i Tiranës. Por pas një sërë diskutimesh anëtarët e djathtë u futën në sallë. Ndonëse për një pjesë të projekteve votuan kundër. Kreu i Bashkisë së Tiranës Edi Rama nuk ishte dje i pranishëm në sallë. Si zakonisht mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura pa praninë e mediave. “Në mbledhjen e radhës të zhvilluar dje, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka miratuar një sërë projektesh të propozuara nga Bashkia e Tiranës, si dhe 12 kërkesa për leje dhe sheshe ndërtimi”, bëri me dije zyra për shtyp e Bashkisë së Tiranës. Kështu do të vihen në zbatim projektet për rikonstruksionin e 4 çerdheve dhe 4 kopshteve. Veç tyre do të rindërtohen edhe 5 shkolla dhe 3 rrugë. Ka kaluar gjithashtu, edhe kërkesa për miratim të projekt-zbatimit për ndriçimin rrugor dhe pedonal të bulevardit “Dëshmorët e kombit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›