Habia e familjes Shkupolli

Familja e Ibrahim Shkupollit, e cila gjendet në qendër të Mitrovicës janë të çuditur me atë se çka i ka ndodhur kushëririt të tyre. Ata thonë se Shkupolli kishte qenë në njeri serioz dhe i qetë dhe se asnjëherë nuk kishte qenë agresiv ndaj personave të tjerë.
Motivi që e kishte shtyrë atë të vrasë katër persona dhe veten, për familjen Shkupolli mbetet ende i paqartë.
Islam Shkupolli është personi më i afërt i Ibrahimit që ka në Kosovë. Ai thotë se është djali i axhës së tij.
Sipas tij, Ibrahimi për herë të fundit kur kishte qenë në Kosovë, në vitin e kaluar, nuk kishte treguar ndonjë shenjë të dyshimtë të depresionit, por se ai kishte qenë i qetë si çdoherë.
“Ibrahimi ka qenë shumë djalë i mirë. Të gjithë kanë vetëm fjalë të mira për Ibrahimin, s’mund të thotë kush fjalë të keqe për të. Nuk kam ide se çka ka ndodhur. Nuk dimë askush. Për këtë ngjarje kemi dëgjuar përmes mediave. Për herë të fundit e kam parë para një viti. Gjithkujt mund t’i ndodhë kjo, nuk është as i pari, e as që do të mbetet i fundit. Unë, si familjar i Ibrahim Shkupollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta popullit finlandez”, thotë Islam Shkupolli.
“Ai ka jetuar në Finlandë, por në kohën kur i është dashur Kosovës, ai ka lënë Finlandën dhe ka ardhur në Kosovë për të luftuar. Po ashtu, edhe pas luftës ai ka kontribuar për këtë vend, u ka ndihmuar njerëzve të varfër dhe materialisht. Ka kontribuar me të gjitha mënyrat për Kosovën”, thotë Islami.
Ndërsa kushërira tjetër e Ibrahimit, Drita Shukupolli, pohon se ai kishte qenë i martuar me një grua kosovare, me të cilin ka dy djem dhe një vajzë. Ndërsa me vajzën finlandeze, e cila u bë viktimë e tij, thonë se ka qenë i kurorëzuar vetëm për ta rregulluar statusin legal të qëndrimit të tij në Finlandë.
“Ibrahimi ka qenë i kurorëzuar për letra me vajzën finlandeze. Nuk dimë më shumë nëse ka pasur ndonjë lidhje emotive me të. Ne e dimë se ka një grua kosovare, me të cilën ka dy djem dhe një vajzë”, thotë Drita Shkupolli.
Ajo shton se me këtë person për herë të fundit ishte takuar gjatë verës së vitit të kaluar, me të cilin kishte udhëtuar me veturë nga Gjermania për në Kosovë.
“Më kujtohet kur isha në veturë me të, erdhëm në Kosovë nga Shqipëria. Kur e pa autostradën e Shqipërisë për herë të parë, u gëzua shumë. Më tha që edhe nëse vdes, nuk është asgjë për të vetëm të vdesë në tokën e Kosovës”, thotë Drita.
Edhe fqinjët e familjes Shkupolli thonë se nuk kanë njohuri për fqinjin e tyre, Ibrahimin. Sipas tyre, atë person e kanë njohur vetëm si figurë dhe se për tragjedinë e Finlandës kanë dëgjuar nga mediat.
“Ka ardhur në këtë vend dhe e kam parë ndonjëherë, por nuk mund të them se çfarë personi ka qenë, sepse nuk e kam njohur shumë. Ka shumë vite që ai nuk jeton në Kosovë”, thotë një fqinje e tij, e cila dëshiron të mbetet anonime.
Ndërkohë, mediat finlandeze shtrojnë pyetjen nëse Shkupolli do të duhej të ishte deportuar kohë më parë nga Finlanda.
Sipas këtyre mediave, thuhet se prej se ngjarja tragjike ndodhi një ditë para vitit të ri, tashmë në të gjitha forumet e diskutimeve në internet po diskutohet për këtë gjë.
Gazeta Helsingin Sanomat raporton se Ibrahim Shkupollit, i cili ka shkuar në Finlandë në vitin 1990, i ishte mohuar marrja e nënshtetësisë finlandeze për shkak të disa veprave kriminale që atij i janë regjistruar si sulme, thyerje e rregullave të trafikut, kërcënime të jashtëligjshme, kundërvajtje për përdorim të armëve etj. Po ashtu, ai kishte pasur së paku një urdhër kufizimi kundër tij.
Në rastin e Shkupollit, dëbimi mund të ketë qenë i justifikuar, thotë kreu i Njësisë së azilit të Shërbimit finlandez të imigrimit, Esko Repo. Ai shtoi se nuk kishte dijeni për natyrën e saktë të të dhënave kriminale të Shkupollit.
Një natë para Vitit të Ri, Ibrahim Shkupolli vrau pesë persona dhe veten në një qendër tregtare në Finlandë. Sipas hetimeve të kryera nga ekspertët e policisë në Finlandë, thuhet se Shkupolli zgjodhi viktimat e veta, që kishin lidhje zinxhir me marrëdhëniet e tij me ish-të dashurën finlandeze.
“Ne jemi të sigurt se çështjet e lidhjes së tij, siç është xhelozia apo ndonjë problem tjetër të lidhjes qëndrojnë prapa asaj se çka ka ndodhur. Jam i sigurt se kjo është arsyeja kryesore për vrasjen e ish-të dashurës së tij, por se nuk e dimë se për çfarë arsye vrau tre burrat e tjerë”, thotë Tero Haapala, shef i hetimeve të Zyrën kombëtare të hetimeve në Finlandë.
Më pas ai ka shtuar se plagët e viktimave dëshmojnë se vrasësi i ka pasur në shënjestër vetëm ata, pasi që, sipas tij, nuk ka pasur plumba të tjerë që mund të kenë shkuar në drejtim të personave kalimtarë.