E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende asnjë gjurmë të emigrantit të zhdukur prej një jave

VLORË- Ka ardhur në Shqipëri për të kaluar Vitin e Ri, por pa mundur të kalojë natën e ndërrimit të viteve me të afërmit. Ky është fati i një 28-vjecari, emigrant prej 4,5 vitesh në Torino të Italisë ku jetonte bashkë me të vëllanë. Udhëtimi i Riza Koçirajt ka nisur nga vendi fqinj në shoqërinë e kunatit të tij.

Pasi ka fjetur një natë në Fier, ai është nisur të nesërmen drejt Vlorës, ku ka faturuar një makinë për të çuar rrobat në fshatin e lindjes, ndërsa në telefon të afërmeve u ka thënë se do të vonohej.

Ka qenë kjo telefonata e fundit që ai ka bërë me të afërmit, më pas telefoni i tij celular është fikur. Një nga 5 vëllezërit e Rizait, Klodiani, ka mbërritur të enjten në Shqipëri për të kërkuar të vëllanë, ndërsa gjatë rrugëtimit ka mësuar se ai është parë të martën nga shoferi i autobusit Vlorë-Tiranë, që e ka pasur 28- vjeçarin si pasagjer deri në qytetin e Lushnjës.

Riza Koçiraj jetonte në Itali pa dokumente, ndërsa, sipas të vëllait, ishte njeri i qetë dhe punëtor, dhe nuk kishte shfaqur asnjë lloj shqetësimi. Në momentin e zhdukjes mbante veshur xhiboks të zi, pantallona xhins blu e errët, me stamp pas "Replay", atlete "Rebok", bluzë të zezë me shkronjë të bardhë "G-star".

Familjarët kanë lënë një numër telefoni në dispozicin për të gjithë ata që mund të kenë informacione mbi vendndodhjen e Riza Koçirajt. Numri është: 0694202375.

Sipas policisë, emigranti kishte disa vite në Itali, ndërsa për të ardhur në shtëpi kishte marrë borxh rreth 300 euro. Këto të dhëna kanë bërë që të zbehen dyshimet për vrasjen e tij, pasi ai kishte vetëm këtë shumë parash me vete. Megjithatë, ata nuk kanë përjashtuar pista të një orvatjeje të mundshme për t'u kthyer në vendin fqinj apo largim me dëshirën e tij.

Gjithsesi, policia ka nisur hetimet edhe për një pengmarrje të mundshme. Ajo ka pyetur të njohur të personit, të afërm, njerëz me të cilët ai ka kontaktuar, për të zbardhur të vërtetën, si dhe rënë në gjurmë të emigrantit, fati i të cilit nuk dihet ende. A.Peçi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›