E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurostati nga Serbia, pret hartën rajonale

Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian, e njohur si Eurostat, nuk pranon se ka miratuar hartën e re rajonale të Serbisë së bashku me Kosovën.

Sipas gazetës serbe, Vecernji Novosti, ky institucion e ka miratuar hartën e re rajonale të Serbisë, në të cilën përfshihet edhe Kosova si rajoni i shtatë i saj.
Në fakt, zyrtarë të këtij institucioni me seli në Luksemburg, të kontaktuar të hënën nga Expressi, kanë deklaruar se ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
Këtë e konfirmon Louise Corselli-Nordblad nga Zyra për Media në Eurostat, sipas së cilës, ata ende nuk kanë marrë propozimin zyrtar të Serbisë.

Sipas saj, të gjitha vendeve kandidate dhe ato që janë potencialisht kandidate për Bashkimin Evropian, u kërkohet që të propozojnë në Eurostat, ndarjen rajonale të territorit të tyre.

“Kjo është një nëndarje e territorit të tyre në rajonet statistikore, me qëllim të harmonizimit të statistikave me rajonet e tjera të Evropës”, thotë Corselli-Nordblad për Express.

“Por Eurostat nuk ka marrë akoma propozimin zyrtar të Serbisë për rajonet statistikore”, shpjegon zyrtarja e këtij institucioni të BE-së, duke demantuar pohimet e mediumit serb.

E pyetur se si veprohet në rastin e Kosovës, pa dhënë shumë detaje, Corselli-Nordblad tregon se, “çdo pyetje lidhur me Kosovën do të trajtohet nga organet përkatëse”.

Ndërkohë, sipas gazetës beogradase, me hartën e re, Serbia ndahet në shtatë rajone, ndër të cilat edhe Kosova, e cila ka shkruar se dritën e gjelbër për këtë akt e ka dhënë edhe kryeministri serb, Mirko Cvetkoviq, gjatë javës së kaluar.

Sipas kësaj të përditshmeje, bazuar në këtë vendim të qeverisë së Serbisë, e që është pranuar edhe nga Eurostati, Serbia përbëhet nga regjioni i Beogradit Lindor, Perëndimor, Qendror dhe Jugor, si dhe ai i Vojvodinës dhe Kosovës.

Pavarësisht kësaj, në të gjitha të dhënat e deritashme që ka publikuar Eurostati, e që ndodhen në faqen e tyre të internetit, Kosova është e ndarë teritorialisht nga Serbia.

Në të gjitha pjesët ku bëhet fjalë për Kosovën, pas emrit, në kllapa, është e vendosur edhe fjalia- Nën Rezolutën 1244.
Me disa ndryshime të këtij institucioni që kanë ndodhur më vonë, viti i fillimit të punës së Eurostatit nis më 1953.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›