Asambleja e re e Besianës s’është mbledhur ende
Kandidati i cili ka fituar për kryetar të Besianës në raundin e dytë të zgjedhjeve, Agim Veliu, është certifikuar nga KQZ-ja, ndërsa këshilltarët ende nuk janë certifikuar dhe për këtë arsye ende nuk ka filluar puna në komunë.
Zyrtari për media në komunën e Besianës, Azem Osmani, ka thënë për Kosovapress se Veliu ka marrë certifikimin nga Komisioni Qendror Zgjedhor. “Kuvendi Komunal i Besianës ende nuk ka filluar që të mbajë seancën e parë ceremoniale që kryetari i sapozgjedhur Agim Veliu dhe këshilltaret të bëjnë betimin e tyre, derisa të certifikohen edhe këshilltarët e komunës nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Kjo do të varet prej KQZ-së se kur do të certifikojë edhe këshilltarët”, tha ai. Për më tepër Osmani ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është fituese në komunën e Besianës, nuk do të hyjë në koalicion me asnjë parti, mirëpo për konsolidimin e kuvendit do të bëjë marrëveshje me partitë e vogla.
Ndryshe, që dhjetë vjet pas luftës në komunën e Besianës radhazi ka udhëhequr Lidhja Demokratike, ndërsa në zgjedhjet e 15 nëntorit kandidati Agim Veliu nuk ka arritur të dalë fitues, por ka mbetur në balotazh me kundërkandidatin e tij nga PDK Muhamet Latifi, ndërsa në zgjedhjet e 13 dhjetorit ka marrë 37 për qind të votave për të udhëhequr komunën e Besianës.