Në janar vijnë edhe 100 mijë vaksina

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gjatë këtij muaji, në Kosovë pritet të vijnë edhe 100 mijë vaksina kundër gripit të derrave. Ndërkohë, numri i të prekurve nga ky grip është rritur në 317.
Zëdhënësi Faik Hoti ka thënë se situata rreth virusit A/ H1N1 vazhdon të konsiderohet si serioze, pasi që vetëm gjatë ditëve të festës janë raportuar 317 raste të prekura nga ky virus.
“Nga numri i përgjithshëm i të prekurve deri më tani kanë vdekur 14 persona, prej të cilëve në 9 të sëmurë nga infeksioni me virusin A H1N1, ndërsa 5 rastet e tjera kishin sëmundje paraprake predispozuese. Në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 25 persona, dy prej të cilëve janë në mjekim intensiv”, ka thënë Hoti, transmeton KosovaPress.
Sipas Hotit, Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në sigurimin e barnave dhe vaksinave kundër këtij virusi. “Në kuadër të përveç barnave të ardhura deri në fund të vitit që lamë pas, gjatë muajit janar pritet të arrij kontingjenti i parë prej 100 mijë vaksinave për përballjen me gripin e derrave”, ka thënë ai. Kjo është pjesë e kontingjentit prej 220 mijë vaksinave të siguruara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.