E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hackerët "plagosën" Thaçin

(E plotësuar) Lajmi i rrejshëm për plagosjen e Hashim Thaçit është publikuar nga grupi i hackerëve kosovar, ‘Kosova Hacker's Security’.

Sipas një njoftimi të vet hackerëve, “Kosova Hacker's Security” kanë ndërhyrë në agjencinë e lajmeve Zhurnal dhe kanë publikuar artikullin për gjoja se plagosjen e Hashim Thaçit.

"Spekulimet për Hashim Thaçin që është plagosur janë bërë nga Kosova Hacker's Security". Këtë e kemi bërë sepse ‘Kosova Hacker's Security’ nuk dëshiron bisedime me Serbinë", thuhet në njoftimin për media të këtij grupi.

Si u “plagos” Hashim Thaçi?

Mbrëmë, disa portale kanë shpërndarë një lajm të rrejshëm për plagosjen e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Lajmi është përhapur me shpejtësi edhe në rrjetet sociale.

Sot në mëngjes, zhurnal.mk – medium ky që duket se i pari ka përhapur këtë lajm – ka sqaruar opinionin se bëhet fjalë për një sulm hakerësh.

“Sot në orët e hershmet të mëngjesit, hakerët nga një IP në Kosovë kanë sulmuar faqen e internetit zhurnal.mk, duke plasuar një tekst i cili kishte të bënte kinse me plagosjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi”, thuhet në njoftimin e këtij portali.

“Faqja e portalit zhurnal.mk është sulmuar pas mesnatës rreth orës 01 dhe nga IP: 82.114.65.118, e cila sipas hetimeve të teknikëve të zhurnal.mk ndodhet në një lokacion në rrugën Prishtinë-Mitrovicë”, vazhdon komunikata.

Teksti i hakerëve thotë se lajmi kinse është marrë nga televizioni Kohavision. Teksti në fjalë është parë edhe në disa faqe të tjera internetit në forma të ndryshme.

Në një version tjetër të parë në gazetashqip.info thuhet se lajmin e ka shpërndarë edhe faqja e internetit info-kosova.net, duke u thirr po ashtu kinse në burimet e televizionit Kohavision.

Para pak çastesh, ka reaguar edhe Kohavizion.

“Kohavisioni demanton raportimin në disa portale në internet të cilat kanë cituar rrejshëm KTV’në për një lajm lidhur me Kryeministrin Hashim Thaçi. Kohavisioni dëshiron të sqarojë se nuk ka publikuar asnjëherë një lajm të tillë dhe konsiderojmë se apostrofimi i emrit të mediumit është qëllimkeq nga subjekte që synojnë ta komprometojnë kredibilitetin e mediumit tonë. Së paku 2 portale në internet si zhurnal.mk dhe info-kosova.net kanë shkruar për gjoja plagosjen e Kryeministrit Hashim Thaçi duke cituar rrejshëm KTV’në”, thuhet në njoftimin e KTV’së.

“Fillimisht ky lajm i rremë është publikuar në orën 01:21 minuta të natës së kaluar në portalin zhurnal.mk e pastaj i njëjti është postuar edhe në portalin tjetër info-kosova.net. Kohavisioni i bën thirrje organeve të hetuesisë që të gjurmojnë autorët e këtij lajmi të rremë dhe motivet e tyre”, përfundon deklarata e KTV’së.

Ndryshe, sot gjatë ditës Kryeministri ka marrë pjesë në 25-vjetorin e meshtarisë së Dom Lorenc Sopit.

Thaçi në ceremoninë e 25-vjetorit të meshtarisë së Lorenc Sopit

Kryeministri Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në ceremoninë e 25-vjetorit të meshtarisë së Dom Lorenc Sopit, Dekanit të Kishës Katolike për Rajonin e Dukagjinit.

Në meshën e mbajtur në Kishën e Klinës, Kryeministri është shoqëruar nga bashkëpunëtorë të tij.

Sipas një njoftimi të Zyrës së Kryeministrit, Thaçi e ka uruar Sopin për këtë përvjetor.

Në këtë meshë i pranishëm ka qenë edhe Ipeshkvi Dodë Gjergji.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›