E Diel, 1 Nëntor 2026

Hafizi: Trajneri duhet të largohet Kuzhe: Nuk jap dorëheqjen, na penalizoi edhe arbitri

Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe ka fajësuar gjyqtarin finlandez Peteri Kari për humbjen e mbrëmshme në Luksemburg, ndërsa ka kërcënuar me largime futbollistësh para ndeshjes me Francën. “Unë kam një kontratë dhe nuk kam asnjë arsye që të jap dorëheqjen, - tha trajneri në konferencën për shtypin pas takimit. – Sot mendoj se na penalizoi shumë arbitri, por edhe loja e ashpër e vendasve. Gjithashtu, vuajtëm shumë edhe lodhjen fizike, pa harruar mungesat. Përpos kësaj, jam optimist se në të ardhmen do të bëjmë më mirë. Masa? Përpara ndeshjes me Francën po ju them se do të ketë disa largime nga skuadra”, shtoi Josip Kuzhe.

Ndërkohë, Astrit Hafizi e ka komentuar me tone tepër të ashpra humbjen e mbrëmshme në Luksemburg, duke e quajtur atë një nga më të rëndat e viteve të fundit. Ish-trajneri i kombëtares shqiptare ka fajësuar mosvlerësimin sa duhet të ndeshjes, por edhe momentin jo të mirë të disa futbollistëve për këtë disfatë. “Nga ajo që pashë në fushë, m’u duk se futbollistët ishin pa detyra dhe luanin kot, - deklaroi Hafizi. –Në fakt, nuk e kam parë asnjëherë kombëtaren kështu dhe për mendimin tim është një kthim shumë i madh mbrapa. Kemi humbur edhe me Bosnjen e Francën, por mendoj se ato janë humbje deri diku normale, ndërsa kjo është shumë e rëndë. E di që kemi pasur mungesa, por duhej punuar që të mos ndihej mungesa e tyre”, shtoi ai.

Ndërkohë, një tjetër moment, është ai i Josip Kuzhesë. “Kuzhe vjen nga një vend ku kanë një tjetër koncept për futbollin dhe unë mendoj se ai do të japë vetë dorëheqjen”, u shpreh më tej Astrit Hafizi.

(a.h/A.LATIFI/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›