E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Francës, Shqipëria humb dhe me Luksemburgun

LUKSEMBURG-Pas humbjes nga Franca në Tiranë, përfaqësuesja e Shqipërisë është mposhtur sërish, kësaj radhe nga skuadra inferiore, Luksemburg.
Përfaqësuesja kuqezi asnjëherë më parë nuk kishte humbur përballë Luksemburgut, ndërsa kësaj radhe dështoi me rezultat 2-1.

Gilles Bettmer ia solli epërsinë skuadrës së tij (minuta e 27) dhe gjysma e parë u mbyll me epërsi minimale për vendasit.

Në gjysmën e dytë gjërat u vështirësuan edhe më shumë për kombëtaren shqiptare, pasi Ansi Agolli u përjashtua me karton të kuq (minuta e 54).

Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe dhjetë minuta më vonë e barazuan rezultatin, ndërsa realizues ishte Erjon Bogdani (minuta e 64).
Mungesa e një lojtari në fushë bëri që Luksemburgu ta rikthente epërsinë përmes Aurelien Joachim (minuta e 78), ndërsa përjashtimi i Bogdanit me karton të kuq shoi shpresat e Shqipërisë për të nxjerrë një barazim.

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet e parafundit në Grupin D me tetë pikë, katër më shumë se Luksemburgu që gjendet i fundit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›