Haga kërkon dënim të përjetshëm për Perishiçin

Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënimin e përjetshëm me burg për ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Momçillo Perishiç. Ky i fundit akuzohet se ka "ofruar ndihmë për kryerjen e krimeve në Bosnjë dhe Kroaci, në periudhën 1993-1995".
"Kërkojmë që gjenerai Perishiç të shpallet fajtor për të gjitha akuzat dhe të dënohet me burgim të përjetshëm", tha prokurori Mark Harmon.
Perishiç është ngarkuar me 13 akuza për ndihmë dhe pjesëmarrje në vrasje, veprime çnjerëzore dhe sulme kundër civilëve joserbë në Sarajevë, Zagreb dhe Srebrenicë.
Prokurori Harmon tha se veprimi i Perishiçit "ishte kriminal", sepse ai "ka ndihmuar dhe mbështetur autorët e krimit".