Haga kërkon mendim për Kosovën
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u ka kërkuar sot vendeve anëtare të OKB-së të thonë mendimin e tyre nëse shpallja e pavarësisë e Kosovës, ishte akt i ligjshëm apo jo.
Gjykata ka kërkuar përgjigje me shkrim deri në 17 prill të vitit të ardhshëm, ndërkohë që vendet do të kenë kohë pastaj deri në 17 korrik që të komentojnë për deklaratat e njëra-tjetrës. Lidhur me këtë çështje Gjykata i ka bërë ftesë edhe Kosovës të paraqesë argumentat e veta.
Më herët gjatë këtij muaji, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i kërkoi Gjykatës opinionin e saj rreth ligjshmërisë së deklaratës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia në muajin shkurt. Mendimi i Gjykatës megjithatë, nuk është i detyrueshëm ligjërisht. (BBC)