Mashtronte qytetarët, pranga tatimorit të rremë
Tiranë- Mashtronte duke u prezantuar si punonjës i Tatim-Taksave, për të përfituar para, por është vënë në pranga pas denoncimit të dy tregtarëve. Sipas burimeve të policisë së Tiranës, mësohet se 38-vjeçari Ilir Ceka është vënë në pranga për mashtrim, falsifikim dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.
“I ndaluari, lindur e banues në Durrës, akuzohet se ka mashtruar pronarët e një subjekti privat ushqimor, duke iuprezantuar atyre si punonjës i Tatim Taksave dhe marrë në këtë mënyrë shumën prej 15 000 lekësh, me pretendimin se nuk do t'iu vinte gjobë për shkeljet e konstatuara gjatë kontrollit të kryer në subjektin ushqimor”- thanë burimet e policisë, duke iu referuar denoncimit të bërë nga tregtarët.
Pas kontrollit, forcat e policisë i gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale 38 vjeçarit,1 dokument identifikimi në emër të shtetasit Ilir Ceka, lëshuar nga Dega e Tatim Taksave Durrës dhe 1 dosje me formularë A-4, ku dy prej formularëve ishin të plotësuar pjesërisht.
Çështja në ngarkim të këtij shtetasi i ka kaluar për hetime Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërkohë që ai është shoqëruar në komisariat, për të pritur masën e sigurisë.