E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hage Gjykata e Krimeve te Renda leshon mandat arresti kunder Kadafit

Gjykata Penale Ndërkombëtare (CPI) njoftoi sot, gjatë një seance publike në Hagë, lëshimin e një mandat arresti kundër Muamar Kadafit për krimet kundër njerëzimit të kryera në Libi që prej 15 shkurtit. Ndërkohë presidenti i Asamblesë së shteteve anëtare ëshët shprehur se Shtetet anëtare të Statutit të Romës, traktati themelues i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, CPI, dhe Libia e kanë për detyrë ta zbatojnë mandatarrestin e lëshuar sot kundër kolonel Muamar Kadafi, u shpreh Christian Wenaweser, "Të gjitha shtetet anëtare dhe Jamahiriya arabe libiane e kanë për detyrë t'i ekzekutojnë këto mandatarreste", deklaroi Wenaweser gjatë një konference shtypi në Hagë, ku ndodhet selia e CPI-së.

Gjykatësit e CPI-së urdhëruan sot lëshimin e mandatarresteve për krime kundër njerëzimit kundër Muamar Kadafit, njërit prej djemve të tij, Seif Al-Islam, shefit të shërbimeve libiane të zbulimit, Abdallah Al-Senoussi, siç u kishte kërkuar prokurori Luis Moreno-Ocampo në një kërkesë të paraqitur më 16 maj.

"Gjykata nuk mund ta zhvillojë mirë punën e saj pa mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e shteteve", theksoi presidenti i asamblesë.
CPI-ja, në detyrë që prej vitit 2002, nuk ka asnjë forcë policore të sajën dhe varet nga vullneti i shteteve për ekzekutimin e mandatarresteve të saj.

Wenaweser përshëndeti punën e shpejtë dhe të efektshme të gjykatës që lëshoi mandatarreste më pak se tre muaj e gjysmë pas dërgimit të një raporti për situatën nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së.

CPI ka kompetencë në Libi në bazë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të 26 shkurtit, gjë që kundërshtohet nga autoritetet libaine, të cilat shprehen se "nuk kanë të bëjnë" me vendimet e gjykatës, pasi nuk kanë ratifikuar statutin e Romës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›