Hagë, Karaxhiç kërkon lirimin nga akuzat

Ish lideri i serbëve të Bosnjes gjatë kohës së luftës Radovan Karaxhiç u ka kërkuar nga gjykatësit lirimin nga akuzat kundër tij. Në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Hagës, ai akuzohet për genocid.
Karaxhiç tha sot se prokurorët ishin përpjekur "që të bëjnë një lloj aktakuze nga asgjëja." Sipas rregullave të gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës në Hagë, të pandehurit mund të kërkojnë lirimin pasi prokurorët të kenë mbaruar paraqitjen e rastit por kërkesa të tilla janë dhënë rrallë.
Prokurorët përfunduan me paraqitjen e provave kundër Karaxhiçit në muajin e kaluar. Karaxhiç pritet të fillojë mbrojtjen në muajin tetor.
Ai është akuzuar me 11 akuza për genocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte për rolin e tij në orkestrimin e një fushate të dhunshme për të eliminuar jo-serbët nga pjesë të Bosnjës, duke përfshirë këtu edhe vrasjen e rreth 8 mijë burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në korrik të 1995-ës.