E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagë, Ramush Haradinaj del sërish sot para gjykatës

Pritet të vijojë edhe sot në Gjykatën për Krime të Luftës në Hagë, rigjykimi kundër ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe ish pjesëtarëve të UÇK-së, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj.
Në rigjykimin e pjesshëm që filloi ditën e djeshme do të trajtohen akuzat për vrasje, trajtim mizor dhe torturim të të burgosurve në shtabin e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Jabllanicë në Kosovën perëndimore.
Në seancën e djeshme Prokurori Paul Rogjers deklaroi se të tre të akuzuarit ishin përfshirë në tortura dhe vrasje.
Sipas tij ndërsa UÇK-ja ishte e angazhuar në luftë legjitime për pavarësi në vitet 1998-1999, ku kishte të drejtë të përdorë forcën, fushata e torturës dhe e vrasjes ndaj civilëve që janë parë si kundërshtarë, ishte ilegale.
Gjithashtu ditën e djeshme u arrestuar edhe dëshmitari kyç i çështjes, Shefqet Kabashi i cili refuzoi të dëshmonte në procesin e parë. Avokati i Haradinaj, Ben Emerson, deklaroi në Gjykatë se prokurorët duhet të thërrisnin Kabashin për të dëshmuar në seancën e sotme, por mbetet e paqartë nëse ai do t`u përgjigjet pyetjeve.
Ndërkohë më 21 korrik të vitit të kaluar, Gjykata ndërkombëtare për krime të luftës në ish Jugosllavi, urdhëroi rigjykimin e ish kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe dy ish bashkëluftëtarëve të tij të akuzuar për krime lufte.
Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës, anuloi pjesërisht vendimin e Gjykatës të prillit të vitit 2008 e cila e kishte shpallur të pafajshëm zotin Haradinaj. Gjykata kishte pranuar ankesën e Prokurorisë e cila ka pohuar se nuk i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t`i shfrytëzuar të gjitha rrugët, në mënyrë që të sigurojë paraqitjen e dy dëshmitarëve kryesor të rastit.
Ramush Hardinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t`u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën e Hagës, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj për krime lufte. Akuzat lidheshin me veprimtarinë e Haradinaj gjatë luftës kur ai ishte një nga komandantet e lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij dhe Idriz Balajt. I pandehuri tjetër Lahi Brahimaj u dënua me gjashtë vjet heqje lirie nën akuzat për siç thuhet trajtim mizor dhe torturë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›