Hagë, vazhdon gjykimi i Mlladiçit

Në gjykatën e Hagës vazhdon sot dita e dytë e gjykimit të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.
Të mërkurën, prokurorët kanë akuzuar Mlladiçin se ka luajtur rol udhëheqës në fushatën kriminale për shfarosjen e myslimanëve, kroatëve dhe joserbëve të tjerë nga Bosnja.
70-vjeçari përballet me 11 akuza për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ai akuzohet se ka komanduar masakrën e 8,000 burrave dhe djemve myslimanë më 1995 në Srebrenicë, e cila konsiderohet mizoria më e madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Mlladiç mund të dënohet me burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtor. Rreth 100 mijë persona kanë vdekur nga konflikti i Bosnjës.