Kryeparlamentari turk Çiçek sot në Shkup

Kryetari i Parlamentit turk, Cemil Çiçek do të zhvillojë sot një vizitë në Shkup, pas qëndrimit dyditor në Tiranë.
Kreu i Asamblesë së përgjithshme turke do të zhvillojë takime me homologun e tij Trajko Veljanovski, presidentin e vendit Gjorgje Ivanov si dhe përfaqësues të komisioneve parlamentare, konkretisht komisionin parlamentar për bashkëpunim me Parlamentin e Turqisë.
Kryeparlamentari turk Çiçek do të mbajë edhe një fjalim para deputetëve të Parlamentit në Shkup, duke theksuar qëndrimin turk mbi zhvillimet në rajon dhe sfidat globale.
Kjo vizitë e kryetarit të Parlamentit turk në Shkup vjen pas qëndrimit dyditor në Tiranë, ku Çiçek deklaroi se “Turqia është gjithmonë në bashkëpunim dhe vepron së bashku me vëllezërit tanë shqiptarë për shumë çështje, duke filluar para së gjithash më çështjen e Kosovës. Sigurisht midis dy vendeve tona ka lidhje të ngushta, miqësore, madje edhe vëllazërore. Dëshiroj të them: rroftë miqësia dhe vëllazëria Turko-Shqiptare!”.