E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hagel: Gati për ndërhyrje nëse Obama jep miratimin

LONDËR - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel deklaroi sot se forcat e armatosura amerikane ''ishin të gatshme për një ndërhyrje ushtarake'' në Siri, nëse presidenti amerikan, Barack Obama jep miratimin për diçka të tillë, gjatë një interviste për rrjetin informativ britanik, BBC.

''Jemi të përgatitur. Tashmë ndodhemi të pozicionuar me elementet tona ushtarake për të pasur kapacitetin dhe mundësinë të përgjigjemi në kuadër të të gjitha alternativave që mund të zgjedhë presidenti", deklaroi Chuck Hagel.

''Jemi të gatshëm të hidhemi në veprim", përfundoi kreu i Pentagonit. 

Por presidenti Obama nuk ka vendosur ende për një ndërhyrje ushtarake ndaj regjimit të Damaskut, ka deklaruar një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Dje, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u shpreh se përdorimi i armëve kimike në Siri është i pamohueshëm dhe theksoi se një shkelje e tillë e së drejtës ndërkombëtare nuk duhet të mbetet pa pasoja.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›