E Diel, 1 Nëntor 2026

Haiti, 200 mijë viktima nga tërmeti. SHBA hap dyert për jetimët

Një javë pas tërmetit shkatërrues, në Haiti bëhen dalëngadalë të qarta përmasat e vërteta të katastrofës. Qeveria haitiane, sipas të dhënave të Komisionit të BE-së, llogarit ndërkohë 200.000 viktima. SHBA-ja do të rrisë numrin e ushtarëve të saj në zonat e katastrofës në ditët e ardhshme në 12.000 trupa, ndërkohë që avionë amerikanë kanë filluar të hedhin nga ajri ndihmat humanitare.

Në grupin e parë të ndihmave përfshihen edhe 14 mijë pako me ushqim dhe
15 mijë litra ujë. Ato u dërguan në një zonë të siguruar pranë
kryeqytetit, Port-au-Prince. Zyrtarët po shqyrtojnë mundësinë e
shpërndarjes së ndihmave në këtë formë në të gjithë vendin ndonëse javën
e kaluar, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates përjashtoi
shpërndarjen e ndihmave prej helikopterëve, duke thënë se kjo mund të
ndizte trazira.

Shpërndarja e ndihmave përmes rrugëve automobilistike sidoqoftë është
shoqëruar me shqetësime për sigurinë e tyre. Një ditë më parë , policia e
OKB-së përdori shkopinjtë e gomës për të shpërndarë turmat e tani
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i ka kërkuar Këshillit
të Sigurimit që të dërgojë 3500 policë dhe ushtarë të tjerë duke e cuar
numrin e përgjithshëm të tyre në 9 mijë.

Ish- presidenti amerikan Bill Clinton, që është i ngarkuari special i
OKB-së për Haitin, thotë se bashkëpunimi mes amerikanëve dhe trupave të
OKB-së është duke përmirësuar përpjekjet e ndihmës dhe se tani
operacionet e ndihmës ishin bërë më të qeta. Shtetet e Bashkuara thonë
gjithashtu se do të lejojnë fëmijët jetimë që të vendosen përkohësisht
në SHBA me qëllim që të marrin trajtim mjeksor.

Në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince qindra mijëra njerëz, sipas të
dhënave të organizatave humanitare, presin akoma të furnizohen me gjërat
më të nevojshme. Shpërndarësit e ndihmave njoftojnë për shtim të dhunës
dhe plaçkitjeve.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›