E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trashëgimia e rëndë e Vietnamit

Një copë e granatës i copëtoi Jerry Maroneyt këmbën e djathtë. Një plumb shpoi qafën e Peter Holtit. Les Newell është qëlluar me plumb në shpinë.
Që të tre këta ushtarë të vjetër amerikanë janë këndellur nga plagët fizike të konfliktit, i cili u zhvillua para shumë viteve. Por javën e kaluar, ata vizituan një vend, në të cilin ende janë të freskëta plagët e luftës në Vietnam, konflikt ky i cili përfundoi para 35 viteve.

Ata shkuan në provincën Quang Tri, e cila ende është e mbushur me mina dhe lëndë të tjera të pashpërthyera, të cilat në vazhdimësi vrasin banorët lokalë, të cilët tentojnë të fitojnë bukën me kultivimin e orizit. Vizita e tyre u organizua nga Fondi Memorial për Veteranët e Vietnamit (VVMF), fond ky i cili ka ndërtuar monumentin në Washington, me të cilin kujtohen 58 mijë ushtarët amerikanë të vrarë në Vietnam.

VVMF-ja sponzoron projektin RENEW, organizatë kjo joqeveritare, e cila ndihmon banorët si Pham Tuanin 41 vjeç, i cili pësoi lëndime të rënda nga një projektil i mbetur amerikan, të cilin e kishte gjetur në fushën e tij të orizit para katër muajve.

“Kur kuptova se humba duart, e tëra për të cilën mendova ishte se sa shumë e dashuroj gruan dhe fëmijët e mi dhe se si unë do të shndërrohem në barrë për ta”, theksoi Tuan.

Delegacioni i VVMF-së u kryesua nga Barry McCaffrey, një gjeneral në pension, i cili ka shërbyer në administratën e Bill Clintonit dhe i cili tani punon si komentator në televizionin NBC. Në delegacion ishin edhe anëtarë të familjeve të ushtarëve të rënë dhe veteranë të luftës në Vietnam, të cilët vizituan për herë të parë këtë vend që nga përfundimi i konfliktit.

Thomas Whitehouse, ish-kapiten në ushtrinë amerikane, deshi të kthejë disa medalje, të cilat i kishte marrë para katër dekadave nga kufoma e një ushtari të vrarë vietnamez.

Sam Metters, i cili është nderuar me tri yje të bronzit dhe një zemër të purpurt, shpresoi se do të gjente shkollën, të cilën ai dhe disa kolegë të tij e ndërtuan për jetimët vietnamezë, gjatë kohës sa kanë shërbyer në Saigon.
Judy Campbell kishte planifikuar të vizitonte vendin në Bien Hoa, ku vëllai i saj, Keith Campbell ishte vrarë gjatë një beteje, të zhvilluar në shkurt të vitit 1967, tri javë para ditëlindjes së tij të 21-të. Campbell u vra nga një snajperist, vetëm 19 ditë pas shkuarjes së tij në Vietnam, në momentin kur kishte tentuar të ndihmonte dy ushtarë të plagosur.

“Ai ishte infermier dhe infermierët shpëtojnë jetë. Këtë e bëri Keith, duke e paguar angazhimin e tij me jetë”, thotë Judy, e cila kishte vetëm 17 vjet kur iu vra vëllai.

Delegacioni turneun njëjavor në Vietnam e filloi në Hanoi. Pjesëtarët e delegacionit ishin të impresionuar nga bumi ekonomik, i iniciuar pas reformave të tregut, të cilat ky shtet komunist i ka implementuar gjatë dy dekadave të kaluara.

Dhe ata ishin të prekur për shkak të pritjes së ngrohtë që iu bë, duke përfshirë këtu edhe nga banorët në qarkun Quang Tri, ku ata inauguruan një shkollë të re fillore, ndërtimi i së cilës u financua nga VVMF-ja.

“Po e ndiej veten si yll. Vetëm shikoni se sa mirë po na trajtojnë”, tha Maroney, një ish-marins.

Para se të zbarkonte në Vietnam, Maroney kishte një qëndrim më armiqësor. “I kemi urryer këta djelmosha. Ata kanë vrarë shokët e mi. Ne i kemi vrarë ata. Ishte luftë”, shton ai.

Për vietnamezët në Quang Tri, lufta ende nuk ka përfunduar në tërësi. “Ajo ende është pjesë e përditshmërisë tonë. Disa prej tyre janë gjymtuar, të tjerët janë verbuar. Kjo të pikëllon tej mase”, thotë Jan Scruggs, themelues dhe president i VVMF-së, i cili vendosi të fillojë projektin RENEW, gjatë një vizite në Vietnam në vitin 2000.

Sipas vlerësimeve të VVMF-së, më shumë se 35 mijë tonë mina dhe lëndë shpërthyese mbesin të shpërndara në të gjitha anët e Vietnamit, sasia më e madhe prej tyre në Quang Tri, në afërsi të zonës së demilitarizuar, e cila dikur ka ndarë Vietnamin Verior me atë Jugor.

Që nga viti 1975, kur forcat e Veriut komunist e fituan luftën, më shumë se 100 mijë vietnamezë janë vrarë apo lënduar nga minat dhe lëndët e tjera të pashpërthyera, më shumë se 7 mijë prej tyre në Quang Tri, dëshmojnë të dhënat e qeverisë së Vietnamit.

Projekti RENEW përqendrohet në tri qarqe të provincës, në të cilat njofton njerëzit për rrezikun që paraqesin minat dhe pastron fushat nga lëndët e pashpërthyera. Projekti gjithashtu u ofron asistencë të lënduarve, duke iu siguruar atyre gjymtyrë artificiale, kredi të vogla dhe u ofron edhe trajnim për punë.

Programi ka përgatitur dy ekipe, për të reaguar shpejt në momentin kur banorët lokalë zbulojnë lëndë të pashpërthyera.

Shumë nga viktimat janë fëmijë, të cilët nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun. Por edhe shumë të rritur, si Tuan, fitojnë bukën duke mbledhur hekur, të cilin më pas e shesin.

Kur ai e zbuloi projektilin në fushën e orizit, Tuan e dërgoi atë në shtëpi dhe vendosi të heqë një pjesë të bakrit, e cila ishte lidhur përreth projektimit.
Bakri është dy herë më i vlefshëm se sa metalet që kishte grumbulluar ai zakonisht.

Në momentin kur shpërtheu projektimi, bashkëshortja e tij ishte jashtë shtëpisë, duke mbledhur mbeturina, të cilat më pas i riciklonte me pagesë.
Pas shërimit të plotë të plagëve të tij, personeli i projektit RENEW do t’i përpiqet që t’i sigurojë atij duar artificiale.

“Asgjë nuk do të më bënte më të lumtur sesa duart artificiale. Aktualisht jam i pafuqishëm”, nënvizon Tuan.

(AP)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›