Haiti, alarm i UNICEF-it: Po zhduken fëmijët!
Situata
Mendohet se janë bërë pre e organizatave të trafikimit të qenieve njerëzore
Rreth 15 fëmijë janë zhdukur nga spitalet e Port-au-Prince ku ishin shtruar për t’u kuruar nga plagët e marra nga tërmeti që goditi vendin dhjetë ditë më parë. Frika më e madhe është se kjo ka lidhje me rrëmbimin e tyre, sepse personat që janë parë me ta në kohën që i kanë marrë nga spitali, nuk kanë qenë të afërmit e fëmijëve të mbetur pa familje. Sipas UNICEF-it, bëhet fjalë për “rrjet të trafikimit të fëmijëve të lidhur me ‘tregun’ e adoptimeve”. Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara në vend, po rritet frika se ata kanë qenë viktima të rrëmbimeve që ushqejnë tregun e adoptimeve të paligjshme. Pavarësisht këtij fakti tronditës, Jean Luc Legrand, ekspert i OKB në fondin për fëmijët ka thënë nga Gjeneva se ky lajm nuk ishte një surprizë, pasi organizatat e lidhura me trafikimin e fëmijëve ishin të pranishme në Haiti që para tërmetit. Tani me kaosin që mbretëron në vend, me qindra fëmijë qarkullojnë nëpër rrugë duke kërkuar familjarët. Me situatën e vështirë të rregullit publik, organizatat e trafiqeve të qenieve njerëzore po lëvizin në një ambient ideal për të realizuar qëllimet e tyre. Këto organizata nisën punën menjëherë pas ditëve të para të tërmetit dhe ndoshta kurrë nuk do të arrihet të kuptohet se sa fëmijë mund të kenë kaluar në duart e tyre, pas asaj tragjedie me pasoja apokaliptike. Por, nëse për disa prej fëmijëve që janë zhdukur nga spitalet pa lënë gjurmë dhe që nuk gjenden me familjarët, mund të dyshohet se kanë rënë pre e trafikantëve, për shumë të tjerë do të duhen javë apo muaj për të mësuar diçka rreth fatit të tyre. Për shumë prej tyre mendohet se kanë kaluar kufirin e Republikës Domenikane, kanë hipur në anije apo avionë pa asnjë lloj dokumenti apo janë marrë nga familje të panjohura. Sipas dëshmitarëve në kufirin mes Haitit dhe Republikës Domenikane janë parë fëmijë të shoqëruar nga njerëz të panjohur, fati i të cilëve nuk dihet. Por nëse për momentin shifrat zyrtare nuk janë të larta, në të ardhmen mund të bëhet fjalë për një fenomen me shifra të frikshme, sepse vetë UNICEF ka “mbledhur” çdo ditë në vend rreth 2 mijë fëmijë që kanë humbur kontaktin me familjet. UNICEF u ka kërkuar vendeve të ndryshme që do të presin fëmijë të vegjël nga Haiti që të respektojnë ligjet për të miturit dhe të raportohet menjëherë për ata që mund të jenë marrë në mënyrë ilegale. Aktualisht në vend nuk po gërmohet më për gjetjen e personave të mbetur gjallë, pasi shpresat janë shumë të vogla. Rreth 3 milionë njerëz të pastrehë kanë nevojë të menjëhershme për asistencë, pasi gjenden pa ujë ushqime dhe medikamente. Ndërkaq, një mesazh jo shumë pozitiv ka ardhur nga Rusia që ka deklaruar se: “shpresojmë që pushtimi amerikan në Haiti të përqendrohet vetëm te ndihmat humanitare dhe të mos përdoret për qëllime të tjera”, deklaroi ministri i Jashtëm i Moskës, Sergei Lavrov. Qeveria vendase po planifikon aksione për zhvendosjen e popullsisë në vendstrehime provizore. Shkak për këtë janë kushtet shumë të rënda sanitare dhe frika e epidemive në shumë vende të kryeqytetit të vendit. Në periferi të vendit, trupat braziliane të OKB—së kanë nisur punimet për ndërtimin e një kampi në gjendje të presë rreth 30 mijë persona.
#