E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të verifikohet cilësia e teksteve përpara se të dalin në treg

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, merr pjesë në analizën vjetore të Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit

Verifikimi i cilësisë së teksteve mësimore përpara daljes së tyre në tregun shkollor ka qenë një ndër detyrat kryesore që i janë lënë Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit gjatë një bilanci të punës njëvjeçare të këtij institucioni.
Gabimet apo gafat e vërejtura në disa tekste shkollore kanë kulmuar me librin e historisë, cili i ka detyruar drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës që të tërheqin vëmendje për më shumë saktësi dhe korrektesë për sa i përket përmbajtjes dhe formës së teksteve.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, në këtë takim pune i porositi pjesëtarët e institutit të jenë aktiv dhe kontribuues në reformën e altertekstit. “Kjo reformë kërkon mbështetje në verifikimin e cilësisë së teksteve shkollore përpara se ata të hidhen në treg”, u shpreh ministri Tafaj. Sipas tij, për rritjen e cilësisë po merren të gjitha masat, që nga konsolidimi i një kurrikule sa më kualitative në shërbim të mësuesisë dhe degëve që përgatitin mësues nëpër universitetet tona dhe deri te platformat e veçanta për mastera dhe DND në shkencat e edukimit. Mësuesit e sotëm, tha Tafaj, duhet ta ndiejnë ndihmesën e institucioneve të tilla si IKT, APRIAL, AVA etj., pasi në plan të parë del aftësimi i tyre i vazhdueshëm në teknologjinë e informacionit dhe përshtatshmëri me kurrikulën e re, pasi çdo mësues në këtë kuptim, ka nevojë t’i ndjekë hap pas hapi ato në zhvillimin e shkollës.“Cilësia, ka theksuar ministri i Arsimit, është së pari, mësuesi i aftë dhe profesional, i përfshirë në sistemin arsimor dhe në këtë qasje na motivon fakti që edhe pse jemi një vend i varfër, investimi që familja shqiptare dhe shoqëria bën në arsim, është mjaft i konsiderueshëm”.
Që prej fillimit të bumit ose komisionit të posaçëm që merret me lidhjen e kontratave me shtëpitë botuese në përputhje me rregullat e Altertekstit, ka pasur edhe shumë kundërshti për këtë reformë. Ndërkohë që hartuesit e teksteve mbështeten pikërisht mbi programet lëndore të përgatitura paraprakisht nga specialistët e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimeve.
Një vëmendje e veçantë në fjalën e ministrit Tafaj me specialistët e Institutit të Kurrikulës iu kushtua edhe qëndrimit që duhet të mbahet ndaj arsimit privat në vend. “Deri tani ai ka qenë i mbikëqyrur prej strukturave të shtetit, ndërsa duhet që në të ardhmen edhe të mbështetet në përsosjen dhe zhvillimin e tij në të tërë komponentët përbërës për rritjen e cilësisë”, u shpreh Tafaj. Ai ka shtuar më tej se një tjetër prioritet që duhet të synojë edhe punën e këtij institucioni është edhe ai i përcjelljes së sa më shumë informacioneve që prodhohen aktualisht për nxënësin, shkollën dhe komunitetin.
“Duhet të punojmë të gjithë së bashku, tha në fund të fjalës së tij ministri Tafaj, që reformat e thella të arsimit të jenë pjesë e informimit të publikut të interesuar, që nga kurrikula e re e gjimnazit dhe gjithçka që me shumicë zhvillohet prej politikës bërjes dhe gjen akses te shkollat dhe mësuesit”.Aktualisht, debati për tekstet shkollore është ende i ndezur. Institucioni i hartimit të politikave arsimore në vend konfirmon se ka përfunduar cikli i botimeve të reja për sistemin e ri shkollor parauniversitar, atë 9-vjeçar dhe të mesmen trevjeçare. Por sërish është hedhur ideja se do të duhet të përmirësohet përmbajtja e këtyre librave mësimorë, në mënyrë që ato të jenë në funksion të një mësimdhënie më efikase, por edhe një mësimnxënie më rezultative.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›