Festohet 90-vjetori i Kongresit të Lushnjës
Përvjetori
Një javë festime me koncerte, teatër, ekspozitë e panair
Bashkia e qytetit të Lushnjës organizoi javën e Kongresit të Lushnjës me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe bashkisë së qytetit. Veprimtari sportive dhe kulturore u organizuan gjatë kësaj jave kushtuar përvjetorit të 90-të të kongresit. Gjithashtu, u çel dhe një ekspozitë e artit pamor me temë historike, si dhe një panair libri me botime të autorëve lushnjarë. Në kinoteatrin “Vaçe Zela” të qytetit u zhvilluan recitali i poezisë lushnjare, shfaqje e teatrit të kukullave, si dhe koncerte të organizuara nga nxënësit e shkollës “Kongresi i Lushnjës” dhe Qendra Kulturore e Fëmijëve. Ceremonitë filluan në orën 9.30 në sheshin para bashkisë ku banda frymore performoi pjesë të ndryshme të muzikës klasike. Gjithashtu, në përmbyllje të festimeve në sheshin e qytetit Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore dha një koncert me pjesë të zgjedhura. Kongresi i Lushnjës u mbajt në 21-31 janar 1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria, me qëllim studimin e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë.
#